Stacionet e autobusëve në Tiranë, gjithnjë e më të rrezikshme për qytetarët

Stacionet e autobusëve në kryeqytet po shndërrohen çdo ditë e më shumë në zona rreziku për qytetarët, duke e bërë pritjen e urbanit një proces të pasigurt që nis që në hapin e parë. Mungesa e sinjalistikës së duhur, vendndalesat e improvizuara në mes të rrugës, infrastruktura e degraduar dhe aksidentet e shpeshta po kthehen në një problem serioz të sigurisë publike.

Shumë prej stacioneve nuk kanë asnjë shenjë orientuese, dhe qytetarët detyrohen të presin në trotuare të ngushta, buzë korsive të trafikut ose në vende ku autobusët ndalojnë pa asnjë standard të qartë. Në disa raste, mjetet e transportit publik detyrohen të frenojnë mes fluksit të makinave, duke rrezikuar si pasagjerët, ashtu edhe drejtuesit e tjerë të mjeteve.

Ndalesat e paorganizuar, mungesa e platformave të sigurta dhe dështimi për të vendosur barriera mbrojtëse apo korsitë e dedikuara e bëjnë situatën edhe më të rrezikshme, sidomos për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe nxënësit që përdorin çdo ditë transportin publik.

Aksidentet pranë stacioneve janë bërë një fenomen i përsëritur, çka tregon se problematika nuk lidhet vetëm me mungesën e infrastrukturës, por edhe me mungesën e menaxhimit dhe kontrollit nga institucionet përkatëse.

Përballë kësaj situate, qytetarët shprehen të frustruar dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të rritur sigurinë dhe për të rikthyer funksionin normal të stacioneve të autobusëve, të cilat në vend që të garantojnë shërbim publik, po kthehen në harta rreziku të përditshme.

Ndaj Postimin: