Pamjet që vijnë nga koridoret e Spitalit Onkologjik në Tiranë janë më shumë se tronditëse, janë një realitet i dhimbshëm që zhvesh propagandën nga çdo petk. Ky është “vendi i shpresës” për ata që luftojnë me jetën çdo ditë, por që përballen me mungesë ilaçesh, radhë të pafundme, pritje në këmbë dhe një sistem që funksionon vetëm në letër.
“Shëndetësia falas” është një slogan politik, jo një e vërtetë. Në praktikë, çdo analizë, çdo ekzaminim, çdo ilaç mungon ose është me cilësi të dobët. Laboratorët shpesh nuk funksionojnë, sistemet digjitale “bllokohen” sipas dëshirës së dikujt, dhe pacientët detyrohen të shkojnë drejt klinikave private për të marrë një diagnozë të qartë, duke paguar nga xhepi, ndërkohë që paguajnë sigurime çdo muaj.
Në këtë spital, qytetarët nga e gjithë Shqipëria vijnë me shpresën për jetën, por përballen me një administratë të lodhur, me mjekë të shpërqendruar dhe një sistem të ndërtuar për të pasuruar të tjerët, jo për të shpëtuar jetë.
Koridore të mbushura me pacientë në këmbë, mungesë e theksuar e ilaçeve, aparatura që “nuk funksionojnë” dhe një sistem analizash që hapet sipas qejfit – ky është realiteti i trishtë i një vendi që ende thotë “shëndetësia është falas”.
Nga “sistemi i analizave që hapet sipas dëshirës” e deri te pajisjet që “janë gjithmonë të prishura”, gjithçka është kthyer në një kalvar për pacientët. Ata presin me orë të tëra, vetëm për të dëgjuar që nuk ka skaner, nuk ka ilaçe, nuk ka shpresë – përveçse në privat.
Në fakt, për të marrë një analizë të saktë, shumë qytetarë detyrohen të shkojnë në privat. Arsyeja? Sepse në spital mungojnë elementet bazë, nga një analizë gjaku e saktë deri te një përgjigje dinjitoze nga mjeku.
Kjo nuk është thjesht dështim. Kjo është braktisje shtetërore ndaj më të dobëtëve, një padrejtësi që nuk mund të justifikohet më.
A ka ndonjë që mban përgjegjësi për këtë sistem të rrënuar? Apo do të vazhdojmë të heshtim, duke parë qytetarët të përkulen përballë një sistemi që i tradhton edhe në momentet më të vështira të jetës?
Ky është një abuzim i heshtur, por i dhimbshëm. Një sistem që duhet të ishte falas dhe në shërbim të jetës, është kthyer në një kalvar pritjesh, kostosh dhe mungese përgjegjshmërie.
Shëndetësia nuk duhet të jetë luks. Duhet të jetë e drejtë. Deri kur?
Gazetar: Ndriçim Gjoshi


