Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka pritur sot në Tiranë Ministren Federale për Europën dhe Punët e Jashtme të Austrisë, Beate Meinl Reisinger, në kuadër të një takimi zyrtar që synon forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
Në diskutimet mes dy ministreve, në qendër të vëmendjes ishte shndërrimi i aksit Tiranë Vienë në një bosht më të fortë politik, ekonomik dhe të sigurisë. Të dyja palët nënvizuan nevojën për të thelluar partneritetin në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Gjatë takimit, ministrja austriake vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke theksuar rëndësinë strategjike të procesit të zgjerimit si për vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe për vetë BE-në.
Nga ana e saj, Spiropali theksoi se Austria ka qenë vazhdimisht një mbështetëse e fortë e integrimit europian të Shqipërisë dhe ka luajtur një rol kyç në jetëzimin e reformave më të rëndësishme në vend.
“Mbështetja parimore e Austrisë për integrimin europian të vendit, kontributi në realizimin e reformave kyçe dhe ndihma për zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor kanë bërë gjithmonë diferencën në rajonin tonë,” u shpreh Spiropali.
Në një postim publik, ministrja shqiptare i uroi mirëseardhjen homologes austriake me fjalët:
“Herzlich Willkommen in Tirana, liebe Beate! Është kënaqësi të mirëpres ministren federale për Europën dhe Punët e Jashtme të Austrisë për të shndërruar aksin Tiranë Vienë në një aks akoma më dinamik në çdo drejtim.”
Takimi u mbyll me zotimin për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe rritjen e projekteve të përbashkëta në interes të dy vendeve.


