Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vijoi sot turin e saj në qarkun e Vlorës, në kuadër të programit “Kuvendojmë për Shqipërinë”.
Kjo nismë synon të afrojë të rinjtë me institucionin më të lartë ligjvënës të vendit dhe të forcojë ndërgjegjësimin qytetar mbi proceset parlamentare.
Në këtë kuadër, Spiropali vizitoi gjimnazin “Spiro Gjiknuri” në Himarë, ku u prezantuan programet informuese dhe edukuese të Shërbimit të Edukimit Qytetar të Kuvendit të Shqipërisë. Ajo pati mundësinë të bashkëbisedojë me nxënësit dhe stafin pedagogjik, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në çështjet e politikës dhe vendimmarrjes.
Gjatë vizitës, Kryetarja e Kuvendit inspektoi ambientet e shkollës, përfshirë palestrën dhe disa nga klasat, ku u njoh me kushtet e infrastrukturës dhe nevojat e institucionit arsimor.
Një nga mesazhet kryesore të Spiropalit ishte ftesa drejtuar të rinjve për të vizituar Kuvendin e Shqipërisë. Ajo i inkurajoi nxënësit të bëhen pjesë e programeve për të rinjtë, të cilat synojnë t’i njohin më nga afër me funksionimin e jetës parlamentare dhe rëndësinë e angazhimit aktiv qytetar.
Në shenjë mbështetjeje për institucionin arsimor, Spiropali dhuroi për bibliotekën e shkollës disa botime të Kuvendit të Shqipërisë, të cilat ofrojnë informacion mbi historinë dhe funksionimin e legjislativit shqiptar.
Kjo vizitë është pjesë e një serie takimesh të organizuara në shkolla të ndryshme të vendit, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar lidhjen midis brezit të ri dhe institucioneve shtetërore. Programi “Kuvendojmë për Shqipërinë” vijon të jetë një platformë e rëndësishme për të rritur ndërgjegjësimin e të rinjve mbi rolin e Kuvendit në zhvillimin demokratik të vendit.