Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, është nderuar në Kiev me Urdhrin e Princeshës Olga të Klasit I nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë një vizite zyrtare në kryeqytetin ukrainas.
Dekorata, një nga vlerësimet më të larta shtetërore të Ukrainës, iu akordua Spiropalit si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Ukrainës që prej nisjes së agresionit rus. Presidenti Zelensky e cilësoi vizitën e ministres shqiptare si një sinjal të fortë mbështetjeje në një moment të vështirë për vendin e tij.
Gjatë takimit mes palëve u diskutua forcimi i bashkëpunimit dypalësh në disa fusha, përfshirë bashkëpunimin ushtarak, prodhimin e mbrojtjes, integrimin europian të dy vendeve, si dhe pjesëmarrjen e mundshme të Shqipërisë në nismën PURL gjatë këtij viti. Po ashtu, u trajtua edhe forcimi i sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe përpjekjet diplomatike për arritjen e paqes.
Në deklaratat e saj, Spiropali theksoi se dekorata përfaqëson jo vetëm një nder personal, por një vlerësim për qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës. Ajo riafirmoi se Shqipëria dënon pa asnjë rezervë agresionin rus dhe mbështet përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen e përgjegjësisë për krimet e luftës.
Gjatë vizitës, Spiropali zhvilloi gjithashtu homazhe pranë Murit të Kujtesës në Kiev, në nderim të të rënëve për pavarësinë dhe lirinë e Ukrainës.