Elisa Spiropali i ka dorëzuar zyrtarisht detyrën e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxhës, një ditë pasi ai u betua para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Lajmi u bë i ditur nga vetë ministri i ri përmes një reagimi publik, ku shprehu mirënjohje për paraardhësen e tij për punën dhe kontributin gjatë ushtrimit të detyrës.
Në mesazhin e tij, Hoxha falënderoi Spiropalin për përkushtimin dhe energjinë e treguar në drejtimin e diplomacisë shqiptare, ndërsa theksoi se do të vijojë punën për avancimin e proceseve të rëndësishme në funksion të forcimit të përfaqësimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Falënderim i përzemërt për Ministren Elisa Spiropali, për punën, përkushtimin, kontributin dhe energjinë gjatë ushtrimit të detyrës së saj si Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ishte kënaqësi të merrja sot stafetën, për të vijuar përparimin e shumë proceseve e kantiereve të rëndësishëm në përfaqësimin dinjitoz të vendit në botë. I uroj suksese të mëtejshme në angazhimet e saj të ardhshme”, u shpreh ai.
Feri Hoxha merr drejtimin e Ministrisë së Jashtme në një fazë të rëndësishme të proceseve diplomatike dhe integruese të vendit.