Spiropali dënon sulmet masive ndaj Ukrainës dhe njofton vizitë zyrtare në Kiev gjatë kësaj jave

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka dënuar ashpër sulmet e fundit masive të ndërmarra nga Rusia kundër Ukrainës, duke i cilësuar ato si akte brutale që kërkojnë reagim të vendosur dhe të bashkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në një reagim publik, Spiropali bëri të ditur se Shqipëria dënon hapur sulmet që përfshinë përdorimin e qindra dronëve dhe raketave balistike, të cilat goditën qëllimisht civilët dhe infrastrukturën kritike energjetike në kushte të vështira dimri. Ajo shprehu solidaritetin me viktimat, familjet e tyre dhe qytetarët që kanë mbetur pa ngrohje, energji elektrike dhe siguri.

Ministrja njoftoi gjithashtu se gjatë kësaj jave do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kiev, ku do të rikonfirmojë mbështetjen e pakushtëzuar të Shqipërisë për Ukrainën. Sipas saj, kjo mbështetje përfshin angazhimin për sovranitetin, pavarësinë dhe të drejtën e Ukrainës për të jetuar në paqe.

Spiropali theksoi se krimet e kryera kërkojnë një reagim të fortë ndërkombëtar dhe se nuk duhet të ketë lodhje apo tolerim derisa agresioni të marrë fund, duke nënvizuar se Shqipëria qëndron e palëkundur në krah të popullit ukrainas.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033