Një ngjarje e pazakontë sportive ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare në Tajvan, ku alpinisti amerikan Alex Honnold ka ngjitur rrokaqiellin Taipei 101 pa asnjë mjet sigurie, duke vendosur një rekord unik.
Honnold, i njohur për ngjitjet e tij ekstreme “free solo”, përfundoi sfidën në rreth një orë e gjysmë, duke arritur lartësinë 508 metra të ndërtesës më të lartë të Tajvanit. Ngjarja u ndoq nga qindra persona të mbledhur në bazë të kullës dhe u transmetua drejtpërdrejt në Netflix.
Pas arritjes në majë, alpinisti zbriti i siguruar me dy litarë dhe u takua me bashkëshorten e tij, Sanni McCandless Honnold, e cila ishte e pranishme në vendngjarje.
Duke folur për mediat pas ngjitjes, Honnold theksoi rëndësinë e përdorimit të kohës dhe përkushtimit maksimal. Ai u shpreh se kufijtë personalë mund të kapërcehen vetëm përmes punës së vazhdueshme dhe përgatitjes së fortë.
Ngjitja e Taipei 101 konsiderohet një tjetër moment historik në karrierën e Honnoldit dhe në sportin e alpinizmit ekstrem urban.