Spanja në garë për lavdinë e Botërorit 2026

Spanja shihet si favorite për të fituar Kupën e Botës 2026, me ekipin e Luis de la Fuente që ka barazuar rekordin historik prej 29 ndeshjesh pa humbje të Visente del Boskes.

Spanja e drejtuar nga Luis de la Fuente po përjeton një periudhë të artë që ka ngjallur kujtimet e lavdisë së vitit 2010. Me një grup të ri plot energji dhe talent, “La Roja” po i afrohet Botërorit të vitit 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada me besim të madh. Trajneri ka arritur të krijojë një ekip që ndjek të njëjtin ritëm triumfues që kishte çuar Spanjën drejt kupës në Afrikën e Jugut.

Ngjashëm me epokën e Luis Aragonés dhe më pas të Visente del Boskes, ekipi aktual po e ndërton suksesin mbi vazhdimësinë, disiplinën dhe ndjesinë kolektive të lojës. Rekordi i barazuar prej 29 ndeshjesh pa humbje tregon një stabilitet të rrallë që e rikthen Spanjën në mesin e superfuqive të futbollit botëror.

Del Boske, trajneri i lavdishëm i vitit 2010, e pranoi publikisht se është i impresionuar nga kjo skuadër e re. “Duhet të jemi të lumtur me ekipin që kemi sot. Në disa drejtime, ata madje mund ta tejkalojnë tonën, sepse janë dy skuadra krejtësisht të ndryshme,” u shpreh ai së fundmi.

Fitorja 4–0 ndaj Bullgarisë, e arritur pa disa prej lojtarëve kyç si Carvajal, Rodri, Fabián apo Lamine Yamal, tregoi forcën e thellë të grupit. Edhe në mungesë të yjeve, Spanja luajti me intensitet dhe besim, duke dëshmuar se baza e saj është e gjerë dhe e përgatitur për sfida madhore.

“Jam krenar që barazova rekordin e vendosur nga një model si Vicente del Boske, por mbi të gjitha kjo është merita e lojtarëve. Ata janë të pangopur,” deklaroi Luis de la Fuente pas ndeshjes, duke theksuar shpirtin fitues që po karakterizon këtë brez.

Trajneri spanjoll e sheh këtë si një etapë tranzicioni drejt historisë së re të futbollit iberik. “Ky brez dëshiron të bëjë histori,” tha ai, ndërsa bastet ndërkombëtare e vendosin Spanjën si favorit të parë për Kupën e Botës 2026 – një sinjal se lavdia e dikurshme mund të përsëritet shumë shpejt.

Ndaj Postimin: