Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku përballet me hetime të reja nga SPAK, ndërsa opozita paralajmëron fundin politik të “Rilindjes” dhe përmbytjen e saj nga korrupsioni.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) ka regjistruar zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si person nën hetim. Sipas burimeve zyrtare, hetimet lidhen me disa procedura tenderimi në institucione strategjike të sektorit publik, ndërsa janë kryer kontrolle në banesat e dy bashkëpunëtoreve të afërta të saj, si dhe në një zyrë administrative të dikasterit që ajo drejton. Njëra prej këtyre bashkëpunëtoreve nuk është më në detyrë.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se çështja ka lidhje të drejtpërdrejta me hetimet ndaj ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, tashmë i arrestuar për “korrupsion aktiv” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Ky hetim ka shtrirje edhe ndaj disa zyrtarëve të tjerë të rëndësishëm, përfshirë kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, dhe Gentian Gjylin, ish-zyrtar në OSHEE dhe KESH. Megjithatë, për çështjen konkrete të Ballukut, nuk janë bërë ende publike detajet e akuzave.
Balluku është thirrur të paraqitet në SPAK ditën e hënë, e shoqëruar nga një avokat mbrojtës, gjë që nënkupton se mund t’i komunikohet një akuzë penale për shkelje të barazisë në tendera, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë publikë. Ky veprim procedurial sugjeron se SPAK mund të vendosë të ushtrojë ndjekjen penale pa kërkuar miratimin e Kuvendit, duke shmangur kështu procedurat e zgjatura parlamentare.
Në fletëthirrjen zyrtare që i është dërguar Ballukut, theksohet se ajo duhet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme në prani të avokatit. Ky detaj nënkupton një nivel të avancuar të hetimeve dhe mundësinë që ndaj saj të ngrihet zyrtarisht një akuzë. Ndërkohë, SPAK është treguar i rezervuar në dhënien e informacionit publik, për shkak të numrit të lartë të kallëzimeve penale që rëndojnë mbi emrin e Ballukut, përfshirë dhe atë të tenderit të Tunelit të Llogarasë, ku vlera u rrit me mbi 50 milionë euro pas nënshkrimit të kontratës me një kompani turke.
Ndërkohë, reaksioni politik nuk ka munguar. Deputeti demokrat Klevis Balliu e quajti zhvillimin “simbol të fundit të Rilindjes”, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet “të hedhë peshat e rënda në det për të shpëtuar anijen e tij politike”. Sipas tij, korrupsioni dhe abuzimi kanë shkatërruar përfundimisht strukturën e qeverisjes, ndërsa “mbytja e Rilindjes është vetëm çështje kohe”.
Në radhët e mazhorancës mbizotëron heshtja, ndërsa vëzhguesit politikë presin të shohin nëse Balluku do t’i përgjigjet thirrjes së SPAK dhe nëse do të vijojë të qëndrojë në postet qeveritare gjatë hetimit. Belinda Balluku mban detyrën e zëvendëskryeministres që prej korrikut 2022, dhe të ministres së Infrastrukturës e Energjisë që prej janarit 2019, ndërsa ka qenë drejtuese politike e qarkut Fier, ku në zgjedhjet e 11 majit fitoi 12 mandate për Partinë Socialiste.
Ky hetim pritet të jetë një nga më të ndjeshmit për qeverinë aktuale, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e reformës në drejtësi dhe integritetin politik të kupolës së mazhorancës, në një moment kur vendi ndodhet në prag të zhvillimeve të rëndësishme elektorale.


