SPAK-u merr dosjen Bankers, drejtuesit kërkojnë lirinë në GJKKO

CEO i Bankers Petroleum, Hongping Xiao, dhe ish-drejtori Leonidha Çobo kërkojnë lirimin nga burgu, ndërsa hetimet për mashtrim fiskal dhe korrupsion janë transferuar në SPAK.

Të ndaluar që prej korrikut, dy drejtuesit kryesorë të “Bankers Petroleum” kanë paraqitur kërkesë në Gjykatën e Posaçme për ndryshim të masës së sigurisë. Përmes avokatëve, ata kërkojnë informacion mbi ecurinë e hetimeve dy mujore dhe argumentojnë se nuk ekziston më rreziku i prishjes së provave apo i ndikimit te dëshmitarët.

Kjo lëvizje vjen në një moment kur Prokuroria e Fierit shpalli moskompetencën për hetimin e çështjes dhe e transferoi dosjen në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Vendimi u mor pasi gjatë hetimeve disa mujore dolën në dritë elementë të reja që lidhen me korrupsion aktiv, pastrim parash dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë në një strukturë të dyshuar kriminale.

Operacioni në kompaninë “Bankers Petroleum” u zhvillua në fillim të korrikut dhe tronditi opinionin publik. Kjo kompani, që prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në fushën e Patos-Marinzës, akuzohet për shmangie të taksave në shifra kolosale. Hetuesit kanë dokumentuar se gjatë periudhës 2004–2024, kompania ka eksportuar dhe shitur naftë në vlerën e 532 miliardë lekëve, ose rreth 5 miliardë euro, por ka deklaruar humbje prej 11.7 miliardë lekësh dhe nuk ka paguar asnjë tatim-fitimi.

Burime nga hetimi bëjnë të ditur se kompania përdorte skema të dyshuara fiskale përmes deklarimeve të rreme të fitimeve dhe manipulimit të TVSH-së. Hetimet nisën pas një kallëzimi zyrtar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila zbuloi mospërputhje serioze mes të dhënave financiare të Bankers dhe dokumenteve të saj tatimore.

Përfaqësues të kompanisë “Bankers Petroleum” kanë mohuar të gjitha akuzat, duke theksuar se kompania ka respektuar ligjet shqiptare dhe është e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet për të sqaruar çdo dyshim. Ata e kanë cilësuar hetimin si të nxituar dhe kanë kërkuar që drejtësia të mos ndikohet nga presioni publik apo politik.

Ndërkohë, përveç dy drejtuesve kryesorë që ndodhen në paraburgim, disa të tjerë janë vendosur nën masa më të lehta sigurie. Konkretisht, shtetasit Lianyi Wang, Ardit Kero, Flavia Capo dhe Kledi Xhani ndodhen në “arrest shtëpie” dhe nën “detyrim paraqitje”, për akuzat e fshehjes së të ardhurave dhe mashtrimit me TVSH-në.

SPAK po analizon dokumentacionin financiar të kompanisë, kontratat e eksportit, si dhe transaksionet ndërkombëtare që lidhen me Bankers Petroleum. Hetimet janë zgjeruar për të përfshirë dhe kompani të tjera që kanë bashkëpunuar me të gjatë viteve të operimit në Shqipëri. Dyshohet se një pjesë e fitimeve janë transferuar jashtë vendit përmes kompanive “guackë”.

Leonidha Çobo, i cili drejtonte operacionet vendase të kompanisë, dhe Hongping Xiao, si drejtues ekzekutiv, akuzohen për fshehje të të ardhurave, pastrim parash dhe pjesëmarrje në një skemë mashtrimi të organizuar. Hetuesit kanë zbuluar se dokumentet financiare janë falsifikuar për të shmangur pagesën e taksave dhe për të transferuar shumat e përfituara drejt offshorëve.

Burime brenda SPAK kanë bërë të ditur se çështja “Bankers” mund të shënojë një nga hetimet më të mëdha fiskale të dekadës së fundit në Shqipëri, për shkak të përfshirjes së zyrtarëve të administratës dhe përmasave të dëmshme për ekonominë publike.

Në ditët në vijim, GJKKO do të shqyrtojë kërkesën për ndryshim mase të sigurisë për Xiao dhe Çobon. Nëse gjykata nuk pranon lirimin e tyre, ata do të qëndrojnë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve, që pritet të zgjasin disa muaj të tjerë.

Çështja e “Bankers Petroleum” mbetet një provë e fortë për sistemin e drejtësisë shqiptare në trajtimin e korrupsionit ekonomik në nivele të larta, ku për herë të parë një kompani ndërkombëtare e këtij kalibri përballet me akuzat e fshehjes së miliarda lekëve nga shteti shqiptar.

Ndaj Postimin: