SPAK shkatërron rrjetin shqiptar të kokainës me operacion ndërkombëtar

SPAK, në bashkëpunim me Europol dhe autoritete të BE-së, godet një nga organizatat shqiptare më të mëdha të trafikut të kokainës në tregun europian.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbuluar dhe shkatërruar një rrjet të fuqishëm shqiptar të trafikut ndërkombëtar të kokainës, me ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet e tregut europian. Operacioni është zhvilluar në koordinim të ngushtë me Europol, Eurojust dhe policitë e disa vendeve të Bashkimit Europian.

Hetimet nisën falë të dhënave nga komunikimet e enkriptuara në platformën SkyECC. Drejtimin e grupit e mbanin shtetasit E.Ç. dhe F.G., me bazë në Paraguai, të cilët kontrollonin çdo hallkë të trafikut — nga prodhimi dhe fshehja e drogës në ngarkesa të ligjshme, deri te shpërndarja dhe pastrimi i fitimeve.

Autoritetet ndërkombëtare kanë goditur dy ngarkesa rekord të këtij rrjeti: në nëntor 2020, 11.6 ton kokainë e fshehur në kuti sapuni dhe bojë metalike u sekuestrua në portin e Anversit, Belgjikë; ndërsa në shkurt 2021, 16.4 ton kokainë të fshehura në bombola metalike u kapën në Hamburg, Gjermani, me një vlerë tregu deri në 3.5 miliardë euro.

Gjykata e Posaçme ka vendosur masën “arrest në burg” për 14 persona dhe “detyrim paraqitje” për 2 të tjerë. Deri tani, në Shqipëri janë ekzekutuar 9 masa sigurie, ndërsa një nga drejtuesit, F.C., u arrestua në një vend të BE-së. Ende po punohet për ndalimin e 6 të tjerëve.

Hetimi zbuloi një skemë të sofistikuar pastrimi parash, ku shuma të mëdha “cash” transportoheshin fizikisht nga BE drejt Shqipërisë përmes shoferëve të autobusëve ndërkombëtarë. Gjithashtu, përdorej sistemi informal “hawala” për të shmangur gjurmët bankare.

Me vendim gjykate janë sekuestruar 14 pasuri me vlerë miliona euro, përfshirë një resort turistik në Xhafzotaj të Durrësit, vila luksoze në Dhërmi dhe Tiranë, toka dhe ndërtesa në kryeqytet, kuota në shoqëri tregtare, tre automjete, si dhe rreth 112 mijë euro cash, 4 mijë USD dhe 880 mijë lekë. Prokurorët Altin Dumani dhe Vladimir Mara e cilësuan këtë grup si një nga më të fuqishmit të hetuar ndonjëherë nga SPAK.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033