SPAK ka sekuestruar një sërë pasurish që i përkasin Nikolla Hafësllarit, i akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Sipas hetimeve, Hafësllari, së bashku me gjashtë persona të tjerë, ka tentuar të korruptojë gjyqtarë të Gjykatës së Apelit. Sekuestrimi përfshin gjithashtu pasuri të lidhura me Erjol Mekshin.
Pasuritë e sekuestruara janë dy garazhe, një automjet dhe dy apartamente.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, në Gjykatën e Posaçme të Apelit është paraqitur ankimi për procedimin pasuror nr. 9 të vitit 2025, i cili lidhet me sekuestrimin e pasurive të Hafësllarit dhe personit të lidhur. Hafësllari akuzohet për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Gjykata e Apelit, me vendimin nr. 262 datë 2.12.2025, ndryshoi vendimin e mëparshëm të Shkallës së Parë dhe pranoi kërkesën e SPAK për sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:
- Garazh nr. 6, kati -1, rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë
- Garazh nr. 7, kati -1, po në të njëjtën adresë
- Automjet “Audi” A6, viti i prodhimit 2005
- Apartament nr. 19/1, shkalla 2, kati III, me sipërfaqe 87.89 m², rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë
- Apartament nr. 21, shkalla 2, kati III, me sipërfaqe 61.89 m², në të njëjtën adresë
Për ekzekutimin e vendimit janë ngarkuar oficerët e Policisë Gjyqësore dhe përfaqësuesit e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, të cilët do të administrojnë pasuritë e bllokuara deri në përfundim të hetimeve.
SPAK vijon hetimet për të përcaktuar vlerën e plotë të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme.


