SPAK reagon ndaj propozimit të PS: Çdo kufizim cenon shtetin e së drejtës

Prokuroria e Posaçme ka reaguar në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj nismave që synojnë ndryshime ligjore për kufizimin e masave ndaj zyrtarëve të lartë, duke theksuar se çdo ndërhyrje që cenon mjetet procedurale dhe pavarësinë e saj do të përbënte rrezik serioz për shtetin e së drejtës.

Në raportin vjetor për vitin 2025, SPAK shprehet se do të konsideronte “veçanërisht shqetësuese” çdo nismë me karakter ligjor apo institucional që synon kufizimin e fushëveprimit të saj. “Ndërhyrje të tilla do të përbënin rrezik serioz për funksionimin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës”, thuhet në dokument.

Institucioni rendit si sfida kryesore hetimin e krimit të organizuar dhe të zyrtarëve të lartë, ndërsa paralajmëron se retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë jo vetëm në perceptimin publik, por edhe në autoritetin e tij, duke shërbyer si faktor nxitës për rritjen e kërcënimeve nga krimi i organizuar.

Në raport vihet re edhe një ndryshim qëndrimi lidhur me referimet nga Policia e Shtetit. Ndryshe nga viti 2024, gjatë vitit 2025 hetimet e nisura mbi bazën e referimeve policore janë rritur me rreth 70 për qind. SPAK thekson se qytetarët vijojnë të denoncojnë, ndërsa kallëzimet nga politika janë përgjysmuar.

Sa i takon masës së arrestit në burg, që ka qenë objekt kritikash publike, raporti evidenton një rënie të ndjeshme gjatë vitit 2025. Nga 236 masa në vitin 2024, numri ka zbritur në 110. Prej tyre, afro 4 për qind janë dhënë për vepra korrupsioni dhe rreth 21 për qind për krim të organizuar.

SPAK bën me dije se gjatë vitit 2025 janë dënuar 197 persona, nga të cilët 108 për korrupsion dhe abuzim me detyrën. Ndërkohë, 21 persona janë shpallur të pafajshëm, duke çuar në rrëzimin e akuzave në këto raste.

Në aspektin e hetimeve, institucioni pranon se gjatë vitit janë përgjuar 3004 pajisje telefonike, 1738 prej tyre me vendim gjykate, ndërsa pjesa tjetër me autorizim të prokurorit ose vendime zgjatjeje. Sipas raportit, telefonat e sekuestruar përbëjnë 70–75 për qind të provave totale në hetime.

Mes problematikave që mbeten të pazgjidhura, SPAK përmend edhe çështjen e statusit të prokurorëve pas përfundimit të mandatit të tyre.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033