Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar më 9 mars Raportin Vjetor për vitin 2025, ku paraqiten rezultatet kryesore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 SPAK hetoi gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 raste të reja dhe 577 të mbartura nga viti 2024. Vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arriti në rreth 45.4 milionë euro.
Në kuadër të hetimeve ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, SPAK regjistroi 6 procedime të reja dhe 16 persona nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nën hetim, 18 persona janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, vlerësoi punën e prokurorëve dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke theksuar se sfidat kërkojnë përpjekje të vazhdueshme.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë janë të barabartë para tij.