SPAK përfundon hetimet për Benet Becin, në akuzë edhe bashkëshortja e ish-kreut të ARRSH-së

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, duke e thirrur këtë të premte për t’i komunikuar zyrtarisht mbylljen e procedurës hetimore dhe marrjen e tij si i pandehur.

Sipas SPAK, Benet Beci akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike, e kryer në bashkëpunim me shtatë persona të tjerë, në lidhje me tenderin “Zhvillimi strategjik i sektorit energjitik”, një projekt kërkimor me vlerë rreth 700 mijë euro, të zhvilluar në vitin 2019.

Në këtë procedurë tenderimi, ku dyshohet për abuzime, e pandehur është marrë edhe Adela Ruko, bashkëshortja e ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi. Ajo është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme dhe ka firmosur aktet përkatëse lidhur me mbylljen e hetimeve një javë më parë.

Në listën e të pandehurve përfshihen gjithashtu Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti, të cilët dyshohen se kanë pasur role të ndryshme në procedurën e tenderimit.

SPAK bën me dije se Benet Beci është hetuar në gjendje të lirë dhe se veprat penale të dyshuara janë kryer në periudhën kur ai mbante funksionin e titullarit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH). Çështja pritet të vijojë me fazën e gjykimit në Gjykatën e Posaçme.

Ndaj Postimin: