SPAK paraqet raport të detajuar për hetimet ndaj Ilir Metës, priten ekspertizat për pasuritë familjare

Prokurori Sotir Kllapi dorëzon 31 faqe materiale në GJKKO mbi hetimet për korrupsion dhe pastrim parash ndaj Ilir Metës

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka zhvilluar një seancë të rëndësishme lidhur me hetimet ndaj ish-presidentit Ilir Meta. Prokurori i çështjes, Sotir Kllapi, u detyrua nga trupa gjykuese të raportonte zyrtarisht mbi hapat e ndërmarra nga SPAK, duke paraqitur një dokument me 31 faqe.

Raporti përmban detaje të veprimeve hetimore, ku theksohet se ende priten ekspertizat e pasurive që lidhen me ish-vjehrrën e Metës. Ky element është cilësuar si pjesë e rëndësishme për vijimin e hetimeve ndaj kreut të Partisë së Lirisë, i cili akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Seanca u kërkua nga avokati mbrojtës Kujtim Cakrani, i cili argumentoi se SPAK nuk ka respektuar afatin ligjor për raportim çdo dy muaj në Gjykatë. Ai kërkoi kohë shtesë për të shqyrtuar materialet dhe për të paraqitur një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë.

Cakrani pretendoi se klienti i tij po mbahet në paraburgim pa prova konkrete dhe përjashtoi mundësinë e një garancie pasurore në këmbim të lirimit, duke deklaruar se Meta nuk disponon pasuri personale të deklaruara.

Ndaj Metës janë ngritur të njëjtat akuza edhe në bashkëpunim me ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, ndërsa mbrojtja ka theksuar vazhdimisht se arrestimi i tij është i motivuar politikisht.

Avokati sqaroi gjithashtu se Meta ka përfunduar një periudhë izolimi në burg, të cilën e cilësoi si të vendosur me ndikim politik dhe se ai i është kthyer tashmë rutinës së paraburgimit.

Seanca e radhës është caktuar për datën 26 qershor, ku gjyqtari Erjon Çela do të shqyrtojë nëse ekzistojnë ende rrethanat që justifikojnë masën e arrestit me burg ndaj ish-kreut të shtetit shqiptar.

Ndaj Postimin: