SPAK në shënjestër: pasuritë e luksit të ish-presidentit të Erzenit

Julian Balla, ish-president i Erzenit dhe biznesmen, kërkohet nga SPAK për lidhje me trafikun e 17 tonëve kokainë dhe pastrim parash.

Julian Balla, një nga personat e shpallur në kërkim nga SPAK, dyshohet për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të 17 tonëve kokainë dhe aktivitet në pastrim parash. Hetimet kanë zbuluar se ai është pronar i resortit “Ajman Park” në Xhafzotaj, Durrës, dhe një vile luksoze dykatëshe tip “ELYSIAN” në Dhërmi, me vlerë mbi 1 milion euro.

Të dyja këto pasuri janë sekuestruar nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, si pjesë e provave që lidhen me veprimtarinë e dyshuar kriminale. Sipas burimeve Balla ka mbajtur më parë edhe postin e presidentit të klubit të futbollit Erzeni, duke e lidhur profilin e tij publik me aktivitetet e dyshuara ilegale.

Operacioni i SPAK ka përfshirë 16 masa sigurie, duke goditur një rrjet të gjerë individësh të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash. Në listën e personave të kërkuar apo të arrestuar janë edhe emra të njohur të botës së krimit, si vëllezërit Çela dhe Franc Çopja.

Sipas të dhënave hetimore, përveç aktivitetit të drejtpërdrejtë në trafikun e drogës, rrjeti ka shfrytëzuar investime të mëdha brenda territorit shqiptar për të kamufluar origjinën e fondeve. SPAK ka intensifikuar aksionet e tij, duke synuar jo vetëm personat, por edhe asetet që gjenerojnë fitime të dyshimta.

Rasti i Ballës është një tjetër shembull i përpjekjes për të ndërthurur botën e biznesit, sportit dhe krimit të organizuar, një fenomen që strukturat e drejtësisë po e targetojnë gjithnjë e më shumë.

Hetimet pritet të zgjerohen edhe në aktivitete të tjera të lidhura me rrjetin, duke mundësuar sekuestrimin e mëtejshëm të pasurive dhe zbardhjen e të gjitha lidhjeve financiare e logjistike të grupit.

Ndaj Postimin: