SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të Jusel Micit dhe Mendim Domit, vlera mbi 1.9 mln euro

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara ndaj shtetasve Jusel Micit dhe Mendim Domit, në kuadër të një procedimi pasuror të vitit 2024.

Sipas njoftimit zyrtar, të dy shtetasit janë subjekt i hetimit pasuror në bazë të ligjit “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”. Ata po gjykohen gjithashtu nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në kuadër të një procedimi penal të vitit 2021.

Nga hetimet e kryera, SPAK bën me dije se pasuritë e sekuestruara rezultojnë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe prezumohet se janë përfituar si rezultat i veprimtarisë kriminale.

Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi përfshijnë:

– Apartamente dhe njësi banimi në Tiranë;
– Njësi shërbimi me sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Bulevardit të Ri;
– Vila në Gjirin e Lalzit dhe në komplekse turistike rezidenciale;
– Sipërfaqe toke në zonat Mazrek, Kashar dhe Sauk;
– Garazhe në Njësinë Administrative nr. 9 në Tiranë;
– Automjete të markave BMW dhe Audi;
– Kuota pjesëmarrjeje në shoqërinë “SUPER FOODS” sh.p.k.;
– Llogari bankare në Union Bank me balanca në euro dhe lekë.

Sipas SPAK, vlera totale e pasurive për të cilat kërkohet konfiskimi arrin në 1,976,870 euro dhe 9,330,062 lekë. Çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033