SPAK kërkon burg për Lleshin: premtim për punësim kundrejt 400 mijë lekëve në Fier, përmes lidhjeve familjare

Dritan Lleshi akuzohet se ka premtuar punësim në Inspektoratin e Mjedisit në Fier në këmbim të një pagese prej 400 mijë lekësh

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për çështjen penale ndaj shtetasit Dritan Lleshi, duke kërkuar dënimin e tij me 8 muaj burg për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Fillimisht, SPAK propozoi një dënim prej një viti, por kërkoi uljen me një të tretën, në zbatim të gjykimit të shkurtuar.

Sipas të dhënave zyrtare, Lleshi ka premtuar punësimin e një të riu si inspektor mjedisi në qytetin e Fierit, duke i kërkuar familjarëve të tij një shumë prej 400 mijë lekësh. Ai ka pretenduar se kishte lidhje të ngushta me një zyrtar në Ministrinë e Brendshme, konkretisht me kushëririn e tij P.N., përmes të cilit do ta realizonte punësimin.

Kallëzimi ndaj tij u bë më 8 tetor 2020 nga shtetasi A.N., banues në Lushnjë, i cili deklaroi se Dritan Lleshi i kishte kërkuar shumën e parave në vitin 2019, duke përdorur emrin e rremë Dritan Ndreca dhe duke i siguruar se përmes ndërhyrjes në ministri, djali i tij do të fitonte vendin e punës.

Në dëshminë e tij, kallëzuesi A.N. pohoi se i kishte dhënë Lleshit një kapar prej 200 mijë lekësh në qershor të vitit 2019, me premtimin se djali i tij do të punësohej në muajin që pasonte. Megjithatë, premtimi u shty për në shtator dhe përfundimisht nuk u realizua kurrë.

Gjykimi ndaj Lleshit po zhvillohet pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, pasi çështja u transferua nga Gjykata e Fierit pas një vendimi për moskompetencë lëndore. Çështja mban numrin e procedimit penal 586 të vitit 2020.

Nga hetimi rezulton se Lleshi ka përdorur emrin dhe pozicionin e të afërmit të tij, duke u përpjekur të përfitojë përmes ndikimit të paligjshëm. Prokuroria e ka vlerësuar këtë si një ndërhyrje serioze në proceset e punësimit në administratën publike.

Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe një procedim penal të veçantë ndaj kallëzuesit A.N., për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, duke shtrirë përgjegjësinë edhe ndaj atyre që synojnë të marrin përfitime nëpërmjet korrupsionit aktiv.

Ndaj Postimin: