Prokuroria e Posaçme ka nisur marrjen në pyetje të personave që financuan Kuvendin e Rithemelimit të Partisë Demokratike, të mbajtur në dhjetor të vitit 2021, në kuadër të një hetimi pasuror të regjistruar si fraksion i veçantë.
Hetimi vijon pas dorëzimit të fashikullit të çështjes “Partizani” në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku janë të pandehur tetë persona, mes tyre edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Mes personave të pyetur është edhe Indrit Hoxha, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike, i cili është marrë në pyetje si deklarues dhe si donator. Një ditë më parë, për të njëjtën çështje, në SPAK është pyetur edhe deputeti Belind Këlliçi.
Deri në këtë fazë të hetimit, SPAK ka marrë në pyetje katër financues të Kuvendit të Rithemelimit. Indrit Hoxha, duke respektuar sekretin hetimor, ka deklaruar se qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar dhe se hetimet pasurore duhet të kryhen ndaj çdo personi të përfshirë në politikë.
Hetimet për financimet e Rithemelimit janë në zhvillim dhe pritet të vijojnë me marrjen në pyetje të personave të tjerë të përfshirë në mbështetjen financiare të këtij procesi politik.