Gjykata e Posaçme vendosi masa arresti për disa persona të përfshirë në skemën e tjetërsimit të pronave dhe një çështje vrasjeje, mes tyre edhe të afërm politikanësh dhe emra të njohur të botës së krimit.
Një tjetër goditje e fortë e SPAK tronditi sot radhët e politikës dhe botës së nëndheshme, pasi Gjykata e Posaçme Antikorrupsion caktoi masat e sigurisë për disa të arrestuar të dyshuar për përfshirje në një skemë të gjerë tjetërsimi pronash, që lidhet edhe me një ngjarje të rëndë kriminale.
Sipas burimeve zyrtare, në burg është lënë Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi”, një emër i njohur për drejtësinë. Në të njëjtën masë u vendos edhe për Enea Kumen, vëllain e deputetit socialist Loer Kume, i cili po ashtu akuzohet për përfshirje në këtë dosje.
Në listën e të arrestuarve përfshihet edhe Vlash Brahja dhe Astrit Avdylaj, alias Astrit Balliu, i cili aktualisht ndodhet në burg për shkak të operacionit “Revanshi”. Ky i fundit konsiderohet si një nga figurat kryesore të grupit të njohur kriminal “Avdylajt”, që ka qenë objekt i disa hetimeve të mëparshme të SPAK.
Ndërkohë, për Ermira Avdylajn, gjykata ka vendosur ndalim të daljes jashtë shtetit, ndërsa hetimet ndaj saj po vijojnë për rolin që ka luajtur në rrjetin e pastrimit dhe transferimit të pronave të dyshuara si të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Burime nga prokuroria theksojnë se skema e tjetërsimit të pronave përfshinte përdorimin e dokumenteve të falsifikuara dhe ndërmjetësime me zyrtarë lokalë për të marrë në pronësi parcela tokash me vlera të larta në zonat turistike.
SPAK po heton edhe lidhjet mes disa të dyshuarve dhe një ngjarjeje të rëndë të ndodhur më herët, që dyshohet se lidhet me konfliktet për përfitime nga këto prona. Prokurorët kanë paralajmëruar se hetimet do të zgjerohet edhe ndaj personave të tjerë që mund të kenë përfituar nga kjo skemë.
Ky është një tjetër rast që tregon se operacionet e SPAK po prekin jo vetëm grupet kriminale, por edhe lidhjet e tyre me politika dhe zyrtarë të lartë, duke nxjerrë në pah shkallën e korrupsionit dhe bashkëpunimit mes krimit dhe pushtetit në Shqipëri.


