Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj dy ish-prokurorëve, të akuzuar për përfshirje në një skemë korrupsioni lidhur me zbutjen e një mase sigurie.
Sipas SPAK, ish-prokurori Kledian Llaho akuzohet për veprën penale të korrupsionit, ndërsa ish-prokurori Çlirim Shahini, aktualisht avokat, akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Të dy dyshohet se kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare në këmbim të ndërhyrjes në procedurat gjyqësore në favor të biznesmenit Pando Papuçi.
Hetimet tregojnë se Papuçi, i shpallur në kërkim për ndërtim pa leje, arriti t’i shmangej drejtësisë për rreth dy vite. Pas arrestimit të tij, masa e sigurimit u ndryshua brenda një ore nga gjykata, pas kërkesës së prokurorisë, duke kaluar në një masë më të lehtë.
Sipas SPAK, për këtë ndërhyrje janë paguar gjithsej 55 mijë euro. Dyshohet se Kledian Llaho ka përfituar 30 mijë euro, të marra përmes biznesmenit Vasil Bakalli, i cili akuzohet se ka vepruar si ndërmjetës. Ndërkohë, Çlirim Shahini dyshohet se ka marrë 25 mijë euro për të ndikuar që ndaj Papuçit të kërkohej masa e sigurimit “detyrim paraqitje”.
Organet e akuzës bëjnë me dije se këto veprime provojnë ekzistencën e një skeme të organizuar korrupsioni, ku funksionarë të drejtësisë kërkonin përfitime financiare për të favorizuar palë të përfshira në çështje penale. Për gjyqtaren që miratoi ndryshimin e masës së sigurimit, SPAK njofton se nuk janë gjetur prova për ngritje akuze.
Dosja është dërguar tashmë për shqyrtim në gjykatë, ndërsa procesi pritet të vijojë në fazën e gjykimit.