SPAK çon për gjykim tre persona për ndikim të paligjshëm, mes tyre një oficer i Gardës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim tre persona, mes tyre një oficer i Gardës së Republikës, të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me transferimin në Shqipëri të një të dënuari nga Republika e Turqisë.

Sipas hetimeve, Zef Mali, në bashkëpunim me Kreshnik Domin, i kanë marrë shumën prej 20 mijë eurosh shtetases Jemine Çoku, duke i premtuar se do të ndërhynin në procedurat shtetërore për transferimin e vëllait të saj, Kujtim Çeliku, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri.

Hetimi ka nisur mbi bazën e referimeve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe është mbështetur në përdorimin e metodave speciale të hetimit. Nga veprimet procedurale është dokumentuar fakti se gjatë periudhës janar–tetor 2025, të pandehurit kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me Jemine Çokun dhe familjarë të saj, duke i siguruar se kishin mundësi të ndikonin te funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë.

Në kohën e kryerjes së veprës penale, Zef Mali mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës, ndërsa Kreshnik Domi ishte një lidhje shoqërore e tij.

Sipas SPAK, Jemine Çoku akuzohet se u ka dhënë të pandehurve shumën prej 20 mijë eurosh si përfitim të parregullt, në këmbim të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm për realizimin e procedurës së transferimit të vëllait të saj, Kujtim Çeliku, i dënuar me burgim në Turqi.

Gjatë hetimit është konstatuar gjithashtu se Ministria e Drejtësisë kishte nisur ndjekjen e procedurës ligjore për transferimin e të dënuarit në Shqipëri.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033