Sot në orën 18:00 do të hidhet shorti për fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026. Për herë të parë, Shqipëria mund të jetë pjesë e këtij evenimenti, pasi në mars do të luajë mundësinë e saj për t’u kualifikuar.

Në qendrën “Kennedy Center” në Uashington do të zhvillohet ceremonia ku do të përcaktohet rrugëtimi i skuadrave pjesëmarrëse dhe atyre pretendente si Shqipëria. Kuqezinjtë fillimisht do të përballen me Poloninë në gjysmëfinale të Play Off-it dhe, nëse kalojnë më tej, do të ndeshen në finale me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi.

Sa i përket shortit, 48 skuadrat do të ndahen në 4 vazo me nga 12 ekipe secila. Ato do të shpërndahen në 12 grupe nga Grupi A deri te Grupi L. Skuadrat do të tërhiqen fillimisht nga vazoja e parë e më pas nga të tjerat. Shqipëria do të pozicionohet në vazon e katërt në rast se siguron biletën për Botërorin që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Për herë të parë një Botëror do të ketë 48 skuadra në fazën finale, duke rritur ndjeshëm numrin e ekipeve pjesëmarrëse nga 32 që ishte deri tani. Deri tani janë kualifikuar 42 skuadra, ndërsa 6 vende mbeten ende të lira, 4 prej të cilave do të vijnë nga Play Off-i i Europës.

Shqipëria, e cila u rendit e dyta në grupin e kualifikueseve, ka siguruar një shans historik për të tentuar pjesëmarrjen në Botëror. Kuqezinjtë dolën nga një grup i vështirë që përfshinte Anglinë dhe Serbinë, ndërsa fitorja vendimtare në Leskovc i dha ekipit mundësinë e Play Off-it. Nëse arrin të kualifikohet, Shqipëria pritet të ketë një grup të fortë, pasi pozicionohet në vazon e katërt dhe do të përballet me ekipe më të larta në renditje. Megjithatë, shorti mund të rezervojë edhe kombinime më të favorshme, duke shmangur përballje me disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.

Ndaj Postimin: