Sot derbi Tirana-Partizani! Policia publikon planin e masave dhe akset që bllokohen nga ora 14:00

Ditën e sotme, në orën 16:30, në stadiumin Arena Kombëtare (Air Albania), do të zhvillohet ndeshja e Kategorisë Superiore mes Partizani dhe KF Tirana.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Segmentet që do të bllokohen

Nga ora 14:00 deri në përfundim të aktivitetit do të bllokohen këto segmente rrugore:

  • Sheshi “Nënë Tereza”
  • Rruga “Lekë Dukagjini”
  • Rruga “Dervish Hima”
  • Zonat përreth stadiumit “Air Albania”

Qytetarëve u kërkohet të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse gjatë orareve të përcaktuara.

Rrugëkalimet e tifozëve

Policia ka përcaktuar itinerare të veçanta për të dyja tifozeritë:

– Lëvizja e tifozëve të “Partizanit”
Nisja nga zona e Inxhinierisë, në rrugën “21 Dhjetori”, më pas tek “Libri Universitar”, vijim anash Presidencës, në rrugën “Gjergj Filipi”, tek “Coin”, për t’iu drejtuar tribunës N.

– Lëvizja e tifozëve të “KF Tiranës”
Nisja nga Sheshi “Skënderbej”, tek ish-Hotel “Dajti”, Ura e Dajtit, kthim tek ETC-ja, në rrugën e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, më pas drejt rrugës “Sheh Ahmet Pazari”, “Ambasador 3”, për t’iu drejtuar hyrjeve V–S.

Policia do të garantojë shoqërimin e tifozëve përgjatë itinerareve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullime apo devijime jashtë tyre.

Kontrollet dhe rregullat e hyrjes në stadium

Në zbatim të planit të masave:

  • Do të ushtrohen kontrolle rigoroze për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë, lëndë piroteknike etj.).
  • Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
  • Nuk do të lejohet hyrja e personave pa dokument identifikimi.
  • Fëmijët nën 16 vjeç, edhe nëse kanë biletë, nuk do të lejohen të hyjnë pa praninë e prindit ose kujdestarit ligjor.
  • Nuk do të lejohet hyrja e tifozëve të identifikuar më parë si problematikë në aktivitete sportive.

Policia apelon për mirëkuptim nga tifozeritë dhe qytetarët, në mënyrë që derbi i sotëm të zhvillohet në kushte sigurie dhe normaliteti.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033