Puna e zjarrfikësve ka qenë jashtëzakonisht intensive këtë verë, duke luftuar flakët në zona të ndryshme të Shqipërisë, por pagat e tyre mbeten shumë larg pritshmërive për një profesion kaq jetik dhe kërkues.
Gjatë sezonit veror, zjarrfikësit luftuan zjarrin në Himarë, Vlorë, malin e Dukatit dhe Shpirag, si dhe në landfillin e plehrave në Vlorë. Por nuk ndalën vetëm aty: edhe në qarqe të tjera u desh ndërhyrja e tyre e shpejtë dhe e palodhur për të shuar flakët që kërcënonin natyrën dhe banorët.
Në zonat e Fierit dhe Mallakastrës, zjarrfikësit përballuan zjarret e kodrave të Drenovës, Gorishovës dhe Belishovës. Po ashtu, në bregdetin e Darzezës dhe Pishporos situata ishte kritike. Kodrat e Rerezës në Patos dhe ato të Tankodromit u përfshinë nga flakët, duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të zjarrfikësve për t’i fikur.
Edhe në veri, në Dibër, Mat dhe Shkodër, zjarrfikësit punuan pa pushim për të ndaluar përhapjen e zjarreve. Por megjithë përkushtimin e tyre, pyetja që ngrihet nga qytetarët është nëse këta heronj të vërtetë paguhen siç duhet.
Sipas të dhënave të vitit 2025, paga mesatare e zjarrfikësve është poshtë 65,000 lekëve të rinj në muaj, shumë ulët nivelit mesatar të pagave në vend që arrin rreth 82,000 lekë për profesionet e tjera, duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it. Kjo e bën profesionin e zjarrfikësit të nënvlerësuar dhe të pa shpërblyer për rrezikun dhe punën që ata bëjnë çdo ditë.
Në anketën e zhvilluar në portalin apollon.tv, ku morën pjesë 96 qytetarë, shumica absolute (76 vota) u shprehën se zjarrfikësit nuk paguhen mjaftueshëm për punën e tyre jetike, ndërsa vetëm 13 persona menduan se ata paguhen siç duhet. 10 votues nuk ishin të sigurt për këtë çështje.

Kjo situatë ngre nevojën urgjente për rishikim të kushteve financiare dhe sociale të zjarrfikësve, që shpesh vendosin jetën në rrezik për të mbrojtur komunitetet dhe natyrën nga shkatërrimi nga flakët.


