SMS të rreme për pagesë gjobash, Policia paralajmëron qytetarët për një skemë mashtrimi kibernetik

Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një skemë të re mashtrimi kibernetik që synon të mashtrojë qytetarët përmes mesazheve SMS, duke u paraqitur në mënyrë të rreme si shërbim zyrtar për pagesën e gjobave të automjeteve.

Sipas njoftimit zyrtar, qytetarëve po u dërgohen mesazhe që përmbajnë lidhje elektronike, të cilat i drejtojnë drejt një faqeje të rreme, e ndërtuar për të imituar faqen zyrtare të Policisë së Shtetit. Faqja përdor stemën institucionale, imazhe të Drejtorisë së Përgjithshme dhe elementë grafikë që krijojnë përshtypjen e një shërbimi legjitim.

Në fazën e parë, përdoruesve u kërkohet të konfirmojnë identitetin duke vendosur numrin e telefonit. Më pas kërkohet numri i targës së automjetit dhe, në hapin final, plotësimi i të dhënave bankare, me pretendimin se po kryhet pagesa e një gjobe.

Policia sqaron se kjo faqe nuk është zyrtare dhe përdor një adresë interneti të rreme, e cila nuk i përket asnjë institucioni shtetëror. Qëllimi i kësaj skeme është përvetësimi i të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve, duke i ekspozuar ata ndaj humbjeve monetare dhe abuzimit me identitetin.

Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik u bën thirrje qytetarëve që të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, të mos plotësojnë të dhëna personale apo bankare në faqe jozyrtare dhe të kenë parasysh se Policia e Shtetit nuk kërkon pagesa gjobash apo verifikim identiteti përmes SMS-ve ose lidhjeve të dërguara.

Autoritetet këshillojnë që çdo informacion të verifikohet vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe që rastet e dyshuara të raportohen menjëherë pranë strukturave përkatëse të Policisë. Policia e Shtetit thekson se mbetet e angazhuar në parandalimin dhe ndjekjen penale të këtyre veprave në hapësirën digjitale, duke ftuar qytetarët të tregojnë kujdes maksimal për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale dhe financiare.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033