Skemë korrupsioni në drejtësi, SPAK çon për gjykim dy ish-prokurorë të Sarandës për ryshfet

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale ndaj dy ish-prokurorëve të Sarandës, të dyshuar për përfshirje në një skemë korrupsioni që lidhet me zbutjen e masës së sigurimit ndaj një personi të shpallur në kërkim.

Sipas akuzës, ish-prokurori Kledian Llaho dyshohet për korrupsion, ndërsa Çlirim Shahini, ish-prokuror dhe aktualisht avokat, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Hetimet tregojnë se dy ish-funksionarët e drejtësisë janë përfshirë në ndërhyrje të paligjshme në procedurat gjyqësore që lidhen me çështjen penale të Pando Papuçit, i shpallur në kërkim për ndërtim pa leje.

Papuçi kishte arritur t’i shmangej drejtësisë për rreth dy vite, deri në momentin e arrestimit dhe paraqitjes para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurimit. Sipas SPAK, masa u rishqyrtua dhe u ndryshua brenda një ore, me kërkesë të prokurorisë, vendim që u mor nga gjyqtarja Edona Vajushi.

Organi i akuzës dyshon se ndërhyrja në këtë proces është bërë në këmbim të përfitimeve monetare. Sipas prokurores së çështjes, Manjola Kajana, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Kledian Llaho ka marrë 30 mijë euro përmes biznesmenit Vasil Bakalli, i cili rezulton se i ka siguruar këto shuma në shtetin grek.

Po ashtu, sipas hetimeve, Çlirim Shahini dyshohet se ka marrë 25 mijë euro në këmbim të kërkesës drejtuar gjykatës për caktimin e masës së sigurimit “detyrim për paraqitje”. Në total, sipas SPAK, shuma e dyshuar e paguar për zbutjen e masës së sigurimit arrin në 55 mijë euro.

Hetimet kanë dokumentuar, sipas organit të akuzës, elementë të një skeme korrupsioni të organizuar, ku funksionarë të drejtësisë dyshohet se kanë kërkuar dhe përfituar para për të favorizuar palë të përfshira në çështje penale. Nën akuzë për korrupsion është edhe biznesmeni Vasil Bakalli, i dyshuar se ka vepruar si ndërmjetës në këtë proces.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033