Skemë e organizuar droge në paraburgimin e Elbasanit, arrestohen tre persona mes tyre një punonjës policie

Një skemë e mirëorganizuar për futjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike brenda paraburgimit të Elbasanit është zbuluar nga autoritetet, duke çuar në arrestimin e tre personave, mes të cilëve edhe një punonjës policie i këtij institucioni.

Operacioni u finalizua pas një hetimi disa-mujor të zhvilluar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. Hetimet, të kryera përmes metodave speciale, zbuluan një mekanizëm bashkëpunimi me qëllim futjen e lëndës narkotike në qelitë e paraburgimit, për përfitime financiare.

Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të datës 22 janar 2026, bazuar në vendimin nr. 784, datë 19 dhjetor 2025, u ekzekutua masa e sigurisë “arrest me burg” ndaj tre shtetasve: N.K., punonjës policie në IEVP Elbasan; E.K., familjare e një të paraburgosuri; dhe G.S., i paraburgosur në këtë institucion.

Sipas të dhënave hetimore, punonjësi i policisë dyshohet se ka shfrytëzuar funksionin e tij për të lehtësuar futjen e drogës në ambientet e paraburgimit, në bashkëpunim me të paraburgosurin dhe familjaren e këtij të fundit, e cila shërbente si lidhje për furnizimin me lëndë narkotike nga jashtë.

I paraburgosuri G.S. rezulton i arrestuar që prej vitit 2020, pas një hetimi penal që lidhej me shfrytëzimin për prostitucion të një shtetaseje të mitur, si dhe me kërcënime dhe dhunë ndaj saj. Për përfshirjen në këtë mekanizëm të ri kriminal, ndaj tij është vendosur një masë e re sigurie.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme brenda sistemit penitenciar.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033