Skema të dyshimta në burgje, Hoxha: “Psikologet” shërbejnë si eskortë për të dënuarit me para

Artan Hoxha denoncon përdorimin e vajzave si psikologe për qëllime intime në burgje, duke përfshirë edhe figura të njohura të showbizit

Gazetari Artan Hoxha ka ngritur alarmin mbi një praktikë shqetësuese që ndodh brenda burgjeve shqiptare, ku, sipas tij, disa vajza punësohen nën petkun e psikologes ose trajneres, por në të vërtetë ofrojnë shërbime intime për të dënuarit që kanë para dhe influencë.

Në një intervistë për Euronews Albania, Hoxha tregoi se këto raste nuk janë të izoluara dhe shpesh përfshijnë personazhe të njohur të botës së spektaklit, që futen në sistem në mënyrë të strukturuar për të kryer shërbime të fshehta kundrejt pagesës. Ai theksoi se disa nga këto kontakte kanë shkuar deri në krijimin e fëmijëve brenda ambienteve të burgut.

“Ka pasur raste ku duhej të ndërroheshin psikologët, sepse nisnin lidhje intime me të burgosurit. Shumë prej tyre nuk shkonin për dashuri, por për përfitim financiar”, u shpreh gazetari, duke përforcuar dyshimet për një sistem të korruptuar dhe të infiltruar nga interesa të errëta.

Hoxha shtoi se megjithëse ekziston një procedurë për miratimin e vizitave të tilla, ajo shpesh anashkalohet me ndihmën e zyrtarëve brenda sistemit. “Ka një person që jep miratimin. Duhet ndjekur zinxhiri se kush i lejon këto vizita dhe në çfarë rrethanash”, tha ai.

Gazetari bëri një ndarje të qartë mes të dënuarve dhe të paraburgosurve, duke theksuar se këta të fundit nuk kanë të drejtë për takime të tilla, ndonëse në praktikë edhe kjo rregullore duket se shpërfillet në raste të caktuara.

Sipas Hoxhës, personat me fuqi financiare të konsiderueshme dhe me rrjet të gjerë kontakti jashtë burgut, janë ata që e kontrollojnë këtë mekanizëm. Ata përdorin buxhete të mëdha për të lehtësuar hyrjen e vajzave në institucionet e vuajtjes së dënimit.

“Ato nuk kanë tarifa fikse. Çdo gjë varet nga kush i fton dhe ku i kërkon. Ka raste që vajzat nuk janë as punonjëse të sistemit, por thjesht futen me funksione të rreme për të përmbushur kërkesat e ‘bosëve’ që komandojnë nga brenda”, përfundoi Hoxha.

Ndaj Postimin: