Nayara Ferreira refuzoi testin e gjinisë dhe zbuloi presionet, qokat dhe ndikimet e klubeve në vendimmarrjen federative.
Historia e volejbollistes braziliane Nayara Ferreira ka ndezur debat në sportin shqiptar, duke ekspozuar përplasjet dhe nënujërat e federatës. Me një karrierë të gjatë mes Portugalisë, Arabisë dhe Francës, ajo mbërriti në Shqipëri për të luajtur për Dinamon, por u përball me një kërkesë që e quajti poshtëruese: testim të gjinisë.
Burime pranë Federatës Shqiptare të Volejbollit bëjnë të ditur se nisma për testimin nuk erdhi nga një rregull apo protokoll, por nga presioni i klubit të Pogradecit, rival direkt i Dinamos për titull. Sipas tyre, drejtuesit e Pogradecit dyshonin se Ferreira përdorte substanca të ndaluara, ndërsa paragjykimet mbi jetën e saj private, pasi ajo jeton me një partnere femër në Tiranë, e ushqyen më tej fushatën kundër saj.
Trajneri i Pogradecit, Besnik Lisha, arriti të tërhiqte edhe Vllazninë për t’u bashkuar me kërkesën, duke e kthyer çështjen në një presion të organizuar ndaj lojtares më të spikatur të kampionatit. Dinamo, e gjetur në befasi, kërkoi një kompromis të qetë me Federatën, jo për shkak të dyshimeve mbi gjininë, por nga pasiguria nëse ndonjë kontroll antidoping rutinë mund të sillte pasoja të paparashikuara.
Por Nayara Ferreira vendosi të mos nënshtrohej. Ajo kërkoi me shkrim bazën ligjore të kërkesës: kush e urdhëroi, në cilin rregullore mbështetej dhe cili komision e firmosi. Federata nuk dha asnjë dokument, asnjë argument, asnjë procedurë zyrtare.
Në vend të përgjigjeve, Federata zgjodhi të pezullojë sportisten. Ky vendim pritet të shkojë në Gjykatë dhe, sipas ekspertëve të së drejtës sportive, mund të kthehet në një precedent të rëndësishëm për mënyrën se si trajtohen sportistët, rregulloret dhe autoriteti i federatave në Shqipëri.
Ndërkohë, presidenti i Federatës, Erlind Pëllumbi, nuk ka shpjeguar ende pse Ferreira u regjistrua si lojtare femër pa asnjë kërkesë për raport mjekësor në momentin e licencimit, dhe pse një kërkesë kaq invazive u bë vetëm pasi nisi gara për titull.
Ajo që nisi si një procedurë e supozuar “sportive”, është shndërruar në një pasqyrë të errësirës administrative, ku rregullat lëvizin sipas interesave dhe ku dinjiteti i një sportisteje u kthye në çmim për llogari midis klubeve.
Rasti Ferreira nuk është më thjesht një çështje sportive — është një histori e fuqisë, kontrollit dhe abuzimit të autoritetit, që mund të trondisë themelet e volejbollit shqiptar.


