Skandali në spitalin e Manchesterit trondit opinionin publik

Një mjek anestezist britanik la pacientin në sallë nën anestezi dhe u kap duke kryer marrëdhënie me një infermiere, duke rrezikuar karrierën mjekësore.

Një rast i paprecedentë ka tronditur opinionin publik në Britaninë e Madhe, pasi një mjek i spitalit Tameside Hospital në Manchester është kapur duke abuzuar rëndë me detyrën. Ai la një pacient të shtrirë nën anestezi në sallën e operacionit, ndërkohë që shkoi në një sallë tjetër për marrëdhënie intime me një infermiere.

Mjeku 44-vjeçar, i identifikuar si Suhail Anjum, i kishte kërkuar një infermiereje të kujdesej për pacientin, i cili priste për një ndërhyrje të planifikuar. Por në vend të kryente detyrën, ai u zhduk në një dhomë tjetër ku u kap në flagrancë nga një koleg bashkë me një infermiere.

Ngjarja e pazakontë ka hapur menjëherë një proces disiplinor ndaj tij. Anjum po përballet me gjykimin para Shërbimit të Tribunalit të Mjekëve, ku rrezikon të humbasë të drejtën e ushtrimit të profesionit për shkak të sjelljes së papranueshme.

Vetë mjeku nuk e mohoi episodin, duke e pranuar se ishte një moment dobësie dhe i përshkroi veprimet si të gabuara, por sipas tij jo të rrezikshme për pacientin. Ai justifikoi sjelljen me “nivel të lartë stresi” dhe tha se kishte ndjerë nevojën të qetësohej.

Megjithatë, autoritetet shëndetësore e cilësuan aktin si shkelje të rëndë etike dhe profesionale, që cënon besimin e publikut te sistemi shëndetësor. Edhe pse fatmirësisht pacienti nuk pësoi pasoja në shëndet, sjellja e mjekut u konsiderua krejtësisht e papranueshme.

Rasti ka ndezur një debat më të gjerë për standardet e disiplinës në spitale, me shumë ekspertë që kërkojnë masa më të rrepta për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla. Për momentin, karriera e Anjum mbetet pezull dhe fati i tij pritet të vendoset nga vendimi i tribunalit.

Ndaj Postimin: