Gjykata e Durrësit ka caktuar masat e sigurisë për 20 personat e arrestuar në kuadër të hetimeve për mbetjet e rrezikshme të lidhura me aktivitetin e kompanisë Kurum, pas një seance maratonë që zgjati mbi gjashtë orë.
Pas verifikimit të kushteve dhe rrethanave për secilin të dyshuar, gjykata vendosi arrest në burg për 9 persona, arrest në shtëpi për 4 persona, ndërsa për 7 të tjerë u vendos masa e detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, shoqëruar me ndalim të daljes jashtë vendit.
Sipas vendimit të gjykatës, masat më të rënda janë dhënë për personat e dyshuar për kontrabandë me mallra të ndaluara apo të kufizuara, kontrabandë të kryer nga punonjës të lidhur me veprimtarinë doganore dhe menaxhim të paligjshëm të mbetjeve, vepra që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë për mjedisin dhe interesin publik.
Në arrest shtëpie janë lënë disa prej të dyshuarve për menaxhim të mbetjeve, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, ndërsa për punonjës dhe zyrtarë të tjerë, të akuzuar kryesisht për shpërdorim detyre, gjykata ka vlerësuar se masat më të buta të sigurisë janë të mjaftueshme në këtë fazë të hetimit.
Çështja lidhet me dyshime për një skemë të gjerë që përfshin kontrabandë të mbetjeve të rrezikshme, manipulim dokumentacioni dhe shkelje të detyrimeve ligjore nga funksionarë shtetërorë, duke ekspozuar mjedisin dhe shëndetin publik ndaj rrezikut.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa autoritetet pritet të thellojnë verifikimet për rolin e secilit prej të dyshuarve dhe për shtrirjen reale të aktivitetit të paligjshëm. Vendimet e sotme të gjykatës shënojnë një hap të rëndësishëm procedural në një nga çështjet më të ndjeshme mjedisore dhe penale të viteve të fundit.