Skandali i madh federal trondit NBA-në, përfshirje e Cosa Nostras

Një operacion federal ka zbuluar një skemë të gjerë mashtrimi në baste sportive dhe lojëra pokeri, që përfshin yje të NBA-së dhe figura të organizatës mafioze La Cosa Nostra.

Një fitore mund të jetë zakonisht diçka pozitive për trajnerin e Portland Trail Blazers, Chauncey Billups, por gjashtë vite më parë ajo u kthye në problem. Sipas akuzës federale, Billups ishte pjesë e një skeme të sofistikuar mashtrimi, ku emri i tij përdorej për të joshur lojtarë të pasur në tavolina pokeri të manipuluara në Las Vegas, Miami dhe Manhattan.

Prokurorët e quajtën atë një “Face Card” – një figurë të njohur që tërhiqte bastvënësit e mëdhenj në lojëra të kontrolluara nga një grup kriminal. Ai luante në atë që u quajt “Ekipi i Mashtrimit”, ku përdorej pajisje teknologjike si makina përzierëse të manipuluara dhe tavolina me rreze X.

Në prill 2019, gjatë një loje në Las Vegas, organizatorët filluan të shqetësoheshin. Billups po fitonte shumë duar të pamundura dhe kjo mund të zgjonte dyshime. “Ai duhet të humbasë me qëllim,” shkruhej në mesazhet që FBI publikoi në dosjen e akuzës.

Skema përfundimisht gjeneroi mbi 7 milionë dollarë në gjashtë vite. Të enjten, FBI ngriti akuza kundër Billups, lojtarit të Miami Heat Terry Rozier dhe dhjetëra personave të tjerë në kuadër të dy hetimeve të mëdha për baste sportive të paligjshme dhe lojëra pokeri të manipuluara.

Sipas drejtorit të FBI, Kash Patel, u arrestuan mbi 30 persona në 11 shtete, të akuzuar për mashtrim kompjuterik, pastrim parash, zhvatje, grabitje dhe bixhoz të paligjshëm. “Ky është një operacion kriminal që përfshin NBA-në dhe mafien italiane,” deklaroi Patel, duke e quajtur mashtrimin “tronditës dhe marramendës”.

Dy aktakuzat federale përshkruajnë rrjete të ngjashme me skenat e filmave të Martin Scorsese-s, me figura nga familjet mafioze Bonanno, Gambino, Genovese dhe Lucchese. Mes të pandehurve gjenden edhe pseudonime si “The Wrestler”, “Juice”, “Big Bruce” dhe “Pookie”.

NBA reagoi menjëherë, duke njoftuar se Chauncey Billups dhe Terry Rozier janë pezulluar përkohësisht, ndërsa hetimet vazhdojnë. “Integriteti i lojës është prioriteti ynë,” tha liga në një deklaratë.

Në dosjen e parë, të quajtur “Operation Nothing But Bet”, akuzohen gjashtë persona për shfrytëzim të informacionit konfidencial rreth lojtarëve për të vendosur baste të paligjshme. Prokurori Joseph Nocella Jr. e cilësoi këtë “një nga skemat më të guximshme të korrupsionit sportiv që nga legalizimi i basteve online në SHBA”.

Në dosjen e dytë, të quajtur “Operation Royal Flush”, akuzohen 31 persona për manipulim të lojërave pokeri të fshehta. Hetuesit zbuluan përdorimin e pajisjeve të sofistikuara, përfshirë tavolina me rreze X, lente kontakti për karta të markuara dhe tabaka çipash me kamera të fshehta.

Sipas aktakuzës, lojërat zhvilloheshin në ambiente luksoze në Nju Jork, Las Vegas, Miami dhe Hamptons. Mafiozët e familjeve Bonanno, Gambino dhe Genovese siguronin “mbrojtje” dhe mbledhje borxhesh për këto lojëra në këmbim të një përqindjeje nga fitimet.

Në rastin e basteve, Terry Rozier akuzohet se dha informacion të brendshëm për një ndeshje të Charlotte Hornets më 23 mars 2023. Ai njoftoi një mik se do të largohej herët nga loja për një “lëndim” të supozuar, duke u dhënë mundësi të tjerëve të vendosnin baste të manipuluara.

Prokurorët pretendojnë se edhe Damon Jones, ish-lojtar i NBA dhe ndihmës jozyrtar i Lakers, shiti informacion për një dëmtim të një lojtari të rëndësishëm në shkurt 2023, përpara ndeshjes kundër Milwaukee Bucks. Ato mbrëmje, LeBron James mungoi për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës.

Sipas FBI-së, tre të pandehur kishin lidhje të drejtpërdrejta në të dy skemat, duke i bashkuar bastet e paligjshme me pokerin e manipuluar. Humbjet për viktimat përllogariten mbi 7 milionë dollarë.

Avokati i Rozier, Jim Trusty, kritikoi mënyrën e arrestimit, duke e quajtur “një shfaqje për kamerat”. Ai theksoi se “Terry nuk është kumarxhi dhe do të luftojë për të vërtetën e tij”.

Ndërkohë, avokati i Billups, Chris Heywood, u shpreh se klienti i tij është i pafajshëm: “Billups është njeri integriteti. Ai nuk do të rrezikonte reputacionin, trashëgiminë dhe lirinë e tij për një lojë pokeri.”

Billups, që udhëheq Portland Trail Blazers që prej vitit 2021, është ish-ylli i Detroit Pistons, ku fitoi titullin kampion në vitin 2004 dhe u shpall MVP i finales. Ai u fut në Naismith Basketball Hall of Fame në vitin 2024.

Në përfundim, hetimet federale pritet të zgjerohen, duke përfshirë edhe figura të tjera të sportit. Ndërsa FBI paralajmëron se “fati i tyre ka mbaruar”, ky skandal pritet të tronditë thellë botën e NBA-së dhe industrinë shumë miliardëshe të basteve sportive në SHBA.

Ndaj Postimin: