Skandal në QSUT: pacientët me kancer viktima të abuzimeve

Disa kolegë në mediat qëndrore denoncuan një skandal tronditës në QSUT, ku vonesat fatale dhe abuzimet financiare po e kthejnë spitalin publik në shërbëtor të klinikave private.

Ata ekspozojnë probleme të rënda në shërbimin Onkologjik të QSUT-së. Ai deklaroi se pacientët me kancer përballen me vonesa të gjata në analizat e biopsisë dhe me kosto marramendëse për trajtime jetike.

Kjo çështje është ndjekur për më shumë se tre vite, duke mbledhur dokumente zyrtare dhe dëshmi nga qytetarë e mjekë. Faktet tregojnë për abuzime sistematike që rëndojnë mbi pacientët më të pambrojtur të shoqërisë.

“Kam marrë me dhjetëra mesazhe për vonesa me muaj. Nuk mjaftohesha me denoncime, duhej të gjeja prova dhe i gjeta.” Gazetari theksoi se ky është një skandal i dokumentuar, jo thjesht një varg pretendimesh.

Sipas dëshmive të mbledhura, disa pacientë nuk arritën të marrin trajtimin në kohën e duhur dhe humbën jetën ndërsa prisnin përgjigjen e analizave. “Te kanceri edhe një ditë ka peshë. Pacientë kanë ndërruar jetë duke pritur.”

Gazetari investigativ akuzon hapur Ministrinë e Shëndetësisë për heshtje të qëllimshme. “Ministria e di shumë mirë çfarë ndodh. Nëse gënjej, le të më çojnë në gjyq. Jam gati të shkoj në burg,” theksoi gazetari.

Një tjetër aspekt i denoncuar është përdorimi i QSUT-së si “recepsion” për klinikat private. Sipas tij, disa mjekë marrin pacientët nga spitali publik dhe i drejtojnë në klinikat e tyre, duke i lënë të varfrit të zhytur në borxhe.

Ai shtoi se ka pasur raste kur rezultatet e biopsisë së bërë në QSUT kanë qenë të ndryshme nga ato të laboratorëve jashtë vendit, duke ngritur dyshime serioze për cilësinë dhe ndershmërinë e shërbimit.

Ai solli shembuj konkretë të dramës sociale: pacientë që shesin bagëti për të blerë ilaçe, të tjerë që mbledhin para me muaj për të paguar një operacion. “Një pacient priste të shiste viçin për t’i dhënë 800 mijë lekë doktorit. Një tjetër shiste bagëtitë për ilaçe. A është kjo normale?”, u shpreh ai i indinjuar.

Sipas tij, ky realitet i rëndë nuk është vetëm një krizë shëndetësore, por edhe një tregues i korrupsionit të rrënjosur që po shkatërron besimin e qytetarëve te shërbimi publik.

Në përfundim, gazetari i bëri thirrje të drejtpërdrejtë SPAK-ut që të nisë hetime mbi këtë çështje. “SPAK-u të hetojë, të mos mbyllë sytë. Unë kam dokumente, jo thashetheme. Nëse kam shpifur, jam gati për burg.”

Ai e përshkroi situatën si një “dramë njerëzore të mbuluar me heshtje”, duke theksuar se çdo ditë vonese në ndërhyrjen e drejtësisë mund të kushtojë jetë njerëzish.

Ky denoncim pritet të ndezë debat publik dhe të rikthejë vëmendjen mbi gjendjen e rënduar të shëndetësisë shqiptare, ku shpesh qytetarët më të brishtë paguajnë çmimin më të lartë.

Ndaj Postimin: