Skandal në burgun e Fierit: Gardianët menaxhojnë Baste Sportive dhe përdorin të burgosurit si klientë

Një denoncim tronditës është bërë publik së fundmi, ku një qytetar akuzon gardianët e burgut të Fierit për përfshirje në aktivitete të paligjshme, përfshirë menaxhimin e basteve sportive brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Sipas JOQ Albania, ku prindi i një të burgosuri ngre akuza për korrupsion, presione dhe kërcënime ndaj familjarëve.

Sipas denoncuesit, gardianët përdorin telefonat e tyre për të administruar baste sportive, një veprimtari që është e ndaluar në Shqipëri prej disa vitesh. Ai pretendon se punonjësit e burgut, përfshirë edhe drejtuesit, lejojnë këtë aktivitet të paligjshëm në këmbim të “kafes mujore” – një formë ryshfeti që siguron vazhdimësinë e aktivitetit kriminal.

Në denoncimin e tij, qytetari rrëfen se djali i tij, i burgosur në Fier, është lejuar të luajë baste pa para nga vetë gardianët. Megjithatë, në fund të muajit, familja përballet me kërcënime për të paguar borxhin e krijuar. “Ata vijnë në shtëpi dhe kërkojnë paratë, duke thënë se janë tonat dhe i duam. Gjej ku të duash, se djali yt i ka luajtur,” thotë ai. Madje, ka pasur raste kur vetë gardiani ka shkuar personalisht për të kërkuar paratë.

Denoncuesi shprehet i dëshpëruar, duke pohuar se ka shitur gjithçka që kishte për të përmbushur kërkesat e këtyre personave. Megjithëse ka bërë denoncime të shumta në polici, ai pohon se nuk ka marrë asnjë reagim nga autoritetet. “Policia nuk bën asgjë, sepse marrin kafen nga këta banditë,” shkruan ai, duke ngritur dyshime për një rrjet të gjerë korrupsioni që përfshin edhe institucionet e rendit.

I njëjti qytetar ka kërkuar ndihmë edhe nga kryeministri Edi Rama, por deri më tani, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga autoritetet shtetërore. Ai apelon publikisht për një kontroll të menjëhershëm të telefonave dhe aktiviteteve të gardianëve të burgut të Fierit, duke theksuar se kjo është mënyra më e sigurt për të zbuluar të vërtetën.

“Fjalët e vetë drejtuesve të burgut tregojnë se janë të paprekshëm, sepse paguajnë ryshfete mujore,” thotë denoncuesi, duke cituar një rast kur drejtori i burgut është shprehur se nuk frikësohet nga denoncimet.

Prindi, i cili ka tentuar të bindë djalin e tij që të mos luajë më baste, e sheh veten të pafuqishëm përballë presionit të vazhdueshëm. “Mjafton të bëhet një kontroll i thjeshtë në telefonat e gardianëve dhe do të faktohet gjithçka që po them,” përfundon ai.

Denoncimi ka ngritur shqetësime të mëdha në opinionin publik, duke rikthyer në vëmendje problemet e korrupsionit në sistemin penitenciar të vendit. Ende mbetet për t’u parë nëse institucionet përkatëse do të ndërhyjnë për të hetuar dhe ndalur këtë skandal të rëndë.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera