Skandal me tenderin 2.3 milionë euro, në qendër Komisioni i Prokurimeve Publike

Punonjësit firmosin urdhrat e shefave, por paratë i përvetësojnë të tjerët – një rrëfim tronditës që fundos drejtuesin e KPP-së, Jonaid Myzyrin

Një tjetër skandal trondit qeverisjen e tenderëve publikë në vend. Një përgjim i zbardhur nga Prokuroria e Posaçme ka nxjerrë në dritë një skemë të dyshuar korrupsioni që përfshin kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyrin, dhe punonjës të këtij institucioni. Në qendër të hetimit është një tender me vlerë 2.3 milionë euro për mirëmbajtjen e një segmenti rrugor në veri të vendit.

Prokuroria e Posaçme ka siguruar prova të forta nga bisedat e përgjuara telefonike të punonjëses së KPP, Lindita Skeja, e cila flet hapur për presionet dhe urdhrat e dhëna nga eprorët për të firmosur dokumente pa e ditur se çfarë përfaqësonin në thelb. Skeja shprehet se ka vepruar “si qeni”, duke firmosur verbërisht për interesa të të tjerëve, ndërsa “paratë i marrin ata”.

Në një nga bisedat, Skeja dëgjohet duke thënë: “Firmosim ne, të gjithë si delet. I vemë ku të na thërrasin. Rresht. Firmën ne, e lekët ata”. Kjo dëshmi konsiderohet thelbësore për hetimin që po zhvillohet ndaj Myzyrit, i cili tashmë është zyrtarisht nën akuzë për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

SPAK thekson në dosje se vendimet e KPP-së në lidhje me shqyrtimin e ankesave për tenderin e mirëmbajtjes së segmentit “Rrëshen – Shpal – Ura e Repsit” përmbajnë elementë të qartë të paligjshmërisë. Sipas akuzës, ka indicie të forta se procesi është manipuluar me ndërhyrje të drejtpërdrejta nga kreu i institucionit.

Prokurori Elvin Gogaj, në kërkesën drejtuar Gjykatës së Posaçme, ka kërkuar masë sigurie për Myzyrin, duke theksuar rrezikun që ai të cenojë provat, të ndikojë tek dëshmitarët, apo të kryejë vepra të tjera penale gjatë procesit. Hetimet e SPAK po vazhdojnë në dinamikë, ndërsa pritet të merren në pyetje persona të tjerë që kanë dijeni për çështjen.

Paralelisht, SPAK po verifikon të gjithë tenderët e zhvilluar nga KPP gjatë viteve 2020-2023, pasi ka dyshime të forta se shumë prej tyre janë zhvilluar pa garë të vërtetë. Në disa raste ka pasur vetëm një ofertues, ndërsa në raste të tjera shoqëritë janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë.

Jonaid Myzyri u emërua në krye të KPP në vitin 2020, përmes një procedure të miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe me votë nga Parlamenti. Por tani, përballë fakteve të publikuara dhe hetimit penal, ai gjendet i pezulluar nga detyra dhe nën masën e detyrimit për t’u paraqitur para drejtësisë.

Ndaj Postimin: