Silvinjo vlerëson debutuesit pas sfidës me Gjibraltarin

Trajneri i Kombëtares shqiptare u shpreh i kënaqur me lojën dhe debutimin e të rinjve, duke paralajmëruar përgatitje intensive për ndeshjen ndaj Letonisë.

Pas fitores minimale 0 me 1 në miqësoren ndaj Gjibraltarit, trajneri Silvinjo e cilësoi sfidën si të vështirë, por me elemente pozitive. Ai theksoi se përgatitja e një miqësoreje përpara një ndeshjeje zyrtare, si ajo ndaj Letonisë, nuk është aspak e lehtë. Megjithatë, ekipi u përgjigj mirë në fushë.

Një nga pikat që trajneri brazilian vuri në dukje ishte debutimi i disa lojtarëve të rinj. “Tre ose katër futbollistë luajtën për herë të parë nga minuta e parë dhe ia dolën mbanë shumë mirë. Nuk është e thjeshtë, më kujtohet se kur debutova me Brazilin, nuk fjeta gjithë natën nga emocionet,” u shpreh Silvinjo me buzëqeshje.

Tekniku kuqezi e vlerësoi atmosferën brenda skuadrës dhe u shpreh i lumtur që grupi ka krijuar një frymë pozitive. Ai theksoi se ditët në vijim do të shërbejnë për përgatitje intensive, duke analizuar lëvizjet e skuadrës dhe duke rregulluar detajet për sfidën e rëndësishme ndaj Letonisë në shtëpi.

“Do të kemi tre deri në katër ditë stërvitje të mira për të përgatitur çdo gjë. Është një ndeshje që ka shumë rëndësi për ne dhe do të hyjmë në fushë për të dhënë gjithçka,” deklaroi ai.

Silvinjo gjithashtu u bëri thirrje tifozëve shqiptarë që të jenë të pranishëm dhe të mbështesin ekipin në stadium. Sipas tij, prania e publikut do të japë një shtysë shtesë dhe do të krijojë një atmosferë të ngrohtë që ndikon drejtpërdrejt në performancën e lojtarëve.

Trajneri përfundoi duke theksuar se objektivi është të ruhet fryma e mirë brenda grupit dhe të vazhdohet puna me përkushtim, pasi beson se ekipi është në rrugën e duhur për të arritur rezultate pozitive.

Ndaj Postimin: