Silvinjo teston formacionin për përballjen me Serbinë

Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, ka nisur përgatitjet intensive për ndeshjen kundër Serbisë, duke eksperimentuar me përbërje të ndryshme në seancën stërvitore të së martës.

Në prag të sfidës së rëndësishme që do të luhet këtë fundjavë në Leskovac, trajneri brazilian nuk ka humbur kohë për të ndërtuar strategjinë e duhur. Pas një dite rikuperimi fizik të hënën, e cila i shërbeu futbollistëve për t’u çlodhur nga ndeshjet me klubet, Silvinjo iu rikthye menjëherë punës taktike të martën.

Në seancën e fundit stërvitore, ai ndau lojtarët në dy skuadra të veçanta, për të testuar kombinime të reja në reparte të ndryshme. Në grupin e parë ishin Mitaj, Cake, Hysaj, Shehu, Asllani, Laçi, Asani, Hoxha dhe Manaj. Ndërsa në grupin e dytë, pjesë u bënë Gjimshiti, Ajeti, Balliu, Aliji, Ramadani, Uzuni, Broja dhe Daku.

Në rolin e organizatorëve neutralë, Bajrami dhe Berisha u stërvitën me jelekë të verdhë, duke shërbyer si “xholë” për të dy skuadrat. Kjo zgjidhje teknike i lejon trajnerit të vlerësojë mënyrën si funksionon skuadra në situata dinamike dhe me kalime të shpejta nga mbrojtja në sulm.

Një element interesant i seancës ishte fakti që Silvinjo nuk mbajti bashkë dyshen e zakonshme të qendrës së mbrojtjes, Gjimshitin dhe Ajetin, as treshen e mesfushës Shehu–Asllani–Laçi, që zakonisht janë bashkë. Ky ndryshim tregon dëshirën e tij për të testuar alternativa të reja dhe për të rritur fleksibilitetin e skuadrës përpara ndeshjes delikate me Serbinë.

Pas ushtrimeve taktike, trajneri organizoi një ndeshje të brendshme kontrolli, ku ekipet ishin përsëri të përziera. Në këtë sfidë u përfshi edhe ndihmësi i tij, Pablo Zabaleta, i cili luajti për disa minuta në rolin e qendërmbrojtësit, duke ndihmuar në analizën e vendosjes në fushë.

Atmosfera në grup mbetet pozitive, me lojtarët që po punojnë me intensitet dhe besim. Objektivi i qartë i stafit teknik është të gjejë ekuilibrin perfekt mes mbrojtjes solide dhe efikasitetit në sulm, për të përballuar me sukses një nga ndeshjet më të rëndësishme të vitit për Kombëtaren Shqiptare.

Ndaj Postimin: