Trajneri Silvinjo flet për sfidën vendimtare ndaj Andorrës, ku një fitore mund ta çojë Shqipërinë për herë të parë në “play-off”-in e Botërorit 2026.
Shqipëria do të përballet sot në orën 20:45 me Andorrën, në një ndeshje që mund të hyjë në historinë e futbollit shqiptar. Takimi është pjesë e raundit të parafundit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 dhe nëse si kuqezinjtë ashtu edhe Anglia fitojnë sfidat e tyre, ekipi i Silvinjos do të sigurojë për herë të parë fazën “play-off”.
Në konferencën për shtyp përpara këtij dueli, trajneri brazilian theksoi se pret një përballje të ndryshme nga ajo e ndeshjes së parë. “Andorra është një skuadër që lufton fort në çdo centimetër. Ka një mbrojtje të organizuar dhe një trajner që i njeh mirë lojtarët e tij. Nuk do të jetë si hera e parë ku shënuam shpejt. Këtë herë do të jetë më e vështirë”, u shpreh Silvinjo me vendosmëri.
Ai shtoi se kombëtarja shqiptare po kalon një moment historik. “Jemi në një fazë të rëndësishme për futbollin tonë. Federata, lojtarët dhe e gjithë struktura po rriten. Tani afrohet ‘play-off’-i dhe është hera e parë që Shqipëria arrin në një situatë të tillë. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, theksoi trajneri.
Silvinjo tregoi se do të ndjekë të njëjtin stil si në ndeshjen e parë ndaj Anglisë. Ai nënvizoi se ekipi do të mbajë të njëjtin shpirt dhe organizim, pavarësisht ndonjë ndryshimi të vogël në mesfushë ose në sulm. “Jemi të fokusuar vetëm te fitorja. Kemi ruajtur qetësinë dhe ekuilibrin. Nuk është koha për eksperimente, por për rezultate”, tha ai.
Sa i përket përgjegjësisë që mban si trajner, Silvinjo u shpreh i qartë: “Nuk kemi shumë kohë për stërvitje, ndaj komunikimi me video dhe diskutimet janë thelbësore. Lojtarët janë të motivuar, të përqendruar dhe e dinë që ndeshja nuk është e lehtë. Unë marr përgjegjësinë më të madhe, por kjo është një betejë e përbashkët.”
Në lidhje me rreshtimin, tekniku sqaroi se nuk e shqetëson shumë moduli i skuadrës, por karakteristikat individuale të lojtarëve. Ai vuri në dukje ndryshimet taktike që mund të ndodhin në krahë dhe në mesfushë për të përballuar formacionin mbrojtës të Andorrës. “Kemi studiuar kundërshtarin dhe do të zgjedhim lojtarët që mund të krijojnë hapësira e të vënë në vështirësi mbrojtjen e tyre,” deklaroi ai.
Në fund, trajneri u ndal edhe te çështja e golit, duke theksuar se ka besim të plotë te sulmuesit. “Lojtarët janë në formë të mirë dhe e dinë çfarë duhet të bëjnë. Kam besim te 3-4 futbollistë që kanë treguar se dinë të shënojnë në momentet e duhura. E di kush do të hyjë në fushë dhe kush do të shënojë,” përfundoi me qetësi Silvinjo, duke ndezur pritshmëritë e tifozëve kuqezi për një mbrëmje historike në Andorrë.


