Silvi Bardhi: “Elbasani në varfëri të skajshme nën qeverisjen e socialistëve”

Anëtarja e Grupit të Punës për Qarkun e Elbasanit, Silvi Bardhi, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për dështim të plotë në zhvillimin e Elbasanit, duke e zhytur qarkun në varfëri ekstreme.

Në një deklaratë për mediat, Bardhi u shpreh se Elbasani është sot qarku i dytë më i varfër në vend, pas Kukësit, si pasojë e keqqeverisjes së Partisë Socialiste.

“Edi Rama mund të nisë lojën e tij të fjalëve dhe propagandën në prag të fushatës zgjedhore, por qytetarët e Elbasanit nuk mashtrohen më. Pas 12 vitesh në pushtet qendror dhe 18 vitesh në qeverisje lokale, Rilindja ka kthyer Elbasanin në një qark të varfër, ku njerëzit mbijetojnë me lista ushqimesh dhe borxhe,” tha Bardhi.

Ajo theksoi se problemet kryesore në Elbasan janë mungesa e investimeve serioze, mbyllja masive e bizneseve, emigrimi në rritje dhe infrastruktura e shkatërruar. Bardhi kritikoi qeverinë për dështimin në përmirësimin e kushteve për pensionistët, mungesën e vlerësimit për profesionistët dhe elitën e qytetit, si dhe situatën kaotike në spitalin e Elbasanit, të cilin e cilësoi si “zyrë pune për patronazhistët”.

Sipas Bardhit, mungesa e mbështetjes për fermerët dhe tregjet e shitjes ka lënë prodhimet bujqësore të Elbasanit të pashitura, ndërsa buxheti i Bashkisë për vitin 2025, prej 38 miliardë lekësh, do të shkojë kryesisht për punësimin e patronazhistëve dhe jo për zhvillim ekonomik.

“Investimi i vetëm serioz në Elbasan është rruga Tiranë-Elbasan, ndërtuar 12 vite më parë gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Pas kësaj, Rilindja nuk ka realizuar asnjë projekt madhor që të sjellë zhvillim ekonomik,” shtoi ajo.

Bardhi theksoi se gjatë 18 viteve të socialistëve në drejtimin lokal, Elbasani është zhytur në beton, duke humbur hapësirat e gjelbra dhe duke favorizuar një grusht firmash përfituesish në tendera. Ajo e quajti Elbasanin një shembull të qartë të keqqeverisjes së Rilindjes, duke theksuar se qytetarët janë lënë në kushte të mjerueshme, pa asnjë shpresë për zhvillim.

Duke folur për skemën e keqmenaxhimit, Bardhi tha se socialistët kanë përvetësuar fonde publike për interesa klienteliste dhe për të mbajtur pushtetin në këmbim të votave. “Elbasani është pasqyrë e modelit të Rilindjes: një popull i varfër, i përvuajtur dhe pa mundësi për të përparuar,” theksoi ajo.

Në fund, Bardhi u bëri thirrje qytetarëve të Elbasanit që të mos bien pre e presionit për vendet e punës dhe të ruajnë dinjitetin përballë “bandës mafioze” që, sipas saj, po plaçkit vendin. “Ky realitet duhet të ndryshojë urgjentisht. Çdo ditë e më shumë që Rilindja qëndron në pushtet, dëmi për qytetarët thellohet,” përfundoi ajo.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera