SILVA HASAJ, KANDIDATJA PËR DEPUTETE ME PD – NJË ZË  I RI PËR FIER-in

Në Shqipëri, një numër gjithnjë në rritje i të rinjve nga fusha të ndryshme po futet në politikë me ambicje, vizion dhe përgatitje të mirëfilltë.

Disa prej tyre kanë studiuar jashtë vendit dhe kanë vendosur të kthehen për të kontribuar në zhvillimin e vendit.  Silva Hasaj është një prej të rinjëve që garon në këto zgjedhje si kandidate për deputete me Partinë Demokratike në Qarkun eFierit.

Me një formim të thellë në ekonomi nga universitetet prestigjioze të “Royal Holloway” në Britani dhe “WarWick”, ajo sjell në politikë një vizion të freskët dhe qasje profesionale. Me një eksperiencë në drejtim biznesi, Silva ka fituar njohuri të thella për sfidat që përballin sipërmarrësit shqiptarë. Kjo përvojë e ka bërë të kuptojë më mirë pengesat që frenojnë zhvillimin ekonomik, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë. Silva beson se politika duhet të bëhet nga profesionistë me njohuri të thella dhe përvojë reale. Ajo mbështet: Zhvillimin e ekonomisë, fuqizimin e grave dhe të rinjëve në të gjitha sferat, transparencën dhe përgjegjshmërinë në administratë.

Loading poll ...

Digital Marketing Ndërto websitin tënd
Apollon Facebook
Apollon Live Stream

Ajo zbulon më shumë nga vetja:

“Rruga ime profesionale ka qenë një ndërthurje e vazhdueshme mes përgatitjes akademike të thelluar dhe përvojës praktike në sektorë të ndryshëm. Pas përfundimit të gjimnazit me rezultate të larta në Kolegjin Turk në vitin 2010, nisa studimet në Angli në Universitetin ‘Royal Holloway’, ku u diplomova në bachelor shkencor në Ekonomiks në vitin 2014. Pas kthimit në Shqipëri, punova në departamentin e financës dhe përfundova një master shkencor në Politike dhe Qeverisje në Institutin e Studimeve Europiane. Më pas, vijova studimet në Universitetin Warwick për një tjetër master shkencor në Ekonomiks dhe Financë. Prej disa vitesh, drejtoj një kompani private ku fokusi im kryesor është menaxhimi financiar dhe strategjik.”- shprehetHasaj.

Ajo ka përfunduar dy cikle studimi në institucione prestigjioze britanike.

“Kam kryer dy cikle studimesh në Mbretërinë e Bashkuar. Fillimisht një bachelor shkencor në Ekonomiks në Universitetin “Royal Holloway” të Universitetit të Londrës, dhe më pas një master shkencor në Ekonomiks dhe Finance në Universitetin “Warwick”. Këto studime më dhanë një bazë të fortë teorike, por edhe më shumë, më ndihmuan të fitoj një perspektivë të gjerë ndërkombëtare dhe aftësi analitike që i kam vënë në zbatim në mënyrë të drejtpërdrejtë në punën time, sidomos në sektorin e ndërtimit dhe financave.” – shprehet SilvaHasaj.

Si drejtuese e një biznesi privat ajo ka arritur rezultate të rëndësishme në menaxhimin e kompanisë si forcimi i qëndrueshmërisë financiare, krijimi i një strukture financiare të fortë që garanton stabilitet në një sektor të ndjeshëm si ndërtimi.

“Një ndër arritjet kryesore ka qenë krijimi i një strukture financiare të qëndrueshme dhe efikase. Kam ndërtuar politika menaxhimi që kanë përmirësuar ndjeshëm performancën financiare të kompanisë, duke garantuar qëndrueshmëri në një sektor sfidues si ai i ndërtimit. Gjithashtu, kam avancuar proceset e dixhitalizimit në departamentin financiar dhe kam ngritur standarde të qarta transparence dhe përgjegjshmërie.” – shprehet Silva.

Vendimi i saj për t’u përfshirë në politikë rrjedh nga një bindje e thellë për nevojën e transformimit.

“Vendimi për të hyrë në politikë lindi si një përgjigje ndaj nevojës që shoh çdo ditë për një përfaqësim më të aftë, të ndershëm dhe vizionar. Duke parë nga afër si funksionon sektori privat dhe barrierat që hasin bizneset, veçanërisht gratë dhe të rinjtë, ndjeva se është koha që njerëz me përvojë reale dhe arsimim serioz të kontribuojnë në përmirësimin e qeverisjes dhe politikëbërjes.” – shprehetHasaj.

Para se të bëhej kandidate politike, ajo ishte aktivisht e përfshirë në fuqizimin ekonomik të grave përmes projekteve dhe iniciativave praktike dhe nisma të tjera për qeverisjen vendore.

“Ndër vite kam qenë pjesë e nismave që lidhen me fuqizimin ekonomik të grave, transparencën në qeverisje dhe zhvillimin lokal. Edhe pse nuk kam qenë e përfshirë në struktura politike më parë, kam ndjekur nga afër zhvillimet politike dhe kam kontribuar me opinion publik dhe angazhim në kauza të rëndësishme sociale.” – tha kandidatja për deputete.

Programi i saj politik ndërtohet rreth tre shtyllave kryesore:

Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm përmes mbështetjes së bizneseve të reja dhe të vogla, Reforma në arsim për t’u përshtatur me kërkesat e tregut, dhe përmirësimi i shërbimeve publike, sidomos në shëndetësi dhe infrastrukturë, në qarkun e Fierit.”

Hasaj rendit tri sfidat kryesore për Fierin që ajo do të adresojë si deputete.

“Mungesa e perspektivës për të rinjtë, që është një nga arsyet kryesore të emigrimit. Burokracia dhe mungesa e lehtësive për bizneset që duan të investojnë në zona më pak të zhvilluara. Mospërputhja e sistemit arsimor me nevojat e tregut të punës.”

Kandidatja për deputete, Silva Hasaj e ka të qartë transferimin e ekspertizës nga biznesi në politika të shëndosha ekonomike.

“Përvoja ime më ka mësuar se çdo ekonomi ka nevojë për rregulla të qarta, mbështetje reale për sektorët strategjikë dhe një sistem fiskal të drejtë. Do të punoj për të hartuar politika që stimulojnë investimet vendase dhe të huaja, duke i dhënë prioritet prodhimit dhe shërbimeve me vlerë të shtuar.”

Ajo ndan reformat konkrete që mbështet:


“Në ekonomi, mbështes uljen e barrës fiskale për bizneset e reja. Në arsim, dua të fuqizoj arsimin profesional dhe lidhjen e shkollave me industrinë. Ndërsa në shëndetësi, prioriteti im është rritja e aksesit dhe cilësisë së shërbimeve në zonat rurale dhe trajnimi i vazhdueshëm i personelit mjekësor.”

Ajo e quan citatin e Gandhi – “Bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh në botë” – si parimin udhëheqës të jetës së saj, duke e përkthyer atë në praktikë në të gjitha fushat:

“Një citat që më udhëheq është: ‘Be the change you wish to see in the world’ nga Gandhi. Më kujton çdo ditë që ndryshimi fillon nga unë.”- shprehetHasaj.

Silva Hasaj është një model i balancës midis familjes, karrierës dhe liderit.
“Unë jam nënë e një vajze të vogël 14-muajshe prandaj menaxhimi i kohës dhe mbështetja nga familja janë kyçe për mua. Kam mësuar të vendos prioritete dhe të gjej momente për veten dhe për të afërmit. Për mua, lidershipi fillon nga balanca dhe përkushtimi i sinqertë.”


Si nënë e një vajze 14-muajshe dhe lider në biznes e politikë, ajo e trajton balancën jetësore me disiplinë dhe strategji. Me një pasaportë të pasur akademike dhe një përvojë të provuar në sektorin privat, Silva Hasaj përfaqëson një brez të ri profesionistësh të përgatitur për t’i përgjigjur sfidave komplekse të ekonomisë dhe politikës.

Ndaj Postimin: