Siguria ushqimore në negociatat me BE, Balla: Kapitull vendimtar që kërkon përshpejtim të reformave

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian se siguria ushqimore përbën një nga grupkapitujt më të vështirë në procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke theksuar se vendi ndodhet në drejtimin e duhur, por ritmi i reformave duhet përshpejtuar.

Gjatë fjalës së tij, Balla u ndal te rekomandimet e Komisionit Europian për vitin 2025, të cilat, sipas tij, lidhen drejtpërdrejt me kapituj që shpesh konsiderohen teknikë, por që kanë ndikim të drejtpërdrejtë politik dhe shoqëror. Ai theksoi se siguria ushqimore prek shëndetin e qytetarëve, besimin e konsumatorëve dhe funksionimin e tregut të brendshëm.

Balla vuri në dukje se procesi i anëtarësimit në BE kërkon pranimin e standardeve dhe kushteve konkrete, edhe kur ato kanë kosto. Ai theksoi se politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitarisë janë gur themeli i integrimit europian dhe se Shqipëria duhet të përafrojë kushtet me ato të Bashkimit Europian, pavarësisht realitetit aktual në terren.

Duke iu referuar ngarkesës ligjore që pritet të përballojë Kuvendi, Balla deklaroi se viti 2026 do të jetë më intensiv se kurrë për punën parlamentare. Sipas tij, vetëm në dy seancat e fundit janë miratuar mbi 30 ligje që lidhen me përmbushjen e detyrimeve të negociatave, ndërsa deri në fund të sesionit pritet të shqyrtohen mbi 200 akte ligjore.

Në vijim, ai theksoi se përmirësimi i zbatimit të legjislacionit dhe forcimi i kontrollit mbeten sfida kryesore, duke veçuar si problematikë serioze hyrjen në treg të produkteve ushqimore të skaduara nga jashtë vendit. Sipas Ballës, institucionet duhet të kenë një qasje më proaktive dhe më të zgjeruar për të garantuar standardet e sigurisë.

Balla vlerësoi ligjin e ri për kontrollet zyrtare dhe punën për ligjin e ri të ushqimit si hapa modernë dhe të besueshëm drejt forcimit të sigurisë ushqimore, por theksoi se ritmi i reformave duhet të përshpejtohet. “Shqipëria është në rrugën e duhur, por duhet të ndryshojë marshin, një marsh më të shpejtë”, u shpreh ai.

Në përfundim, Balla deklaroi se në institucionet e Bashkimit Europian ekziston një pritshmëri dhe vlerësim pozitiv për ecurinë e Shqipërisë në negociata, duke nënvizuar se siguria ushqimore duhet trajtuar si një element thelbësor i procesit të integrimit dhe i sigurisë në tërësi.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033