Siguria ushqimore në fokus të integrimit, Salla prezanton investimin 20 mln dollarë për pikat kufitare të inspektimit

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka prezantuar në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian prioritetet dhe angazhimet e institucionit që ai drejton në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe shëndetit të bimëve, duke e cilësuar zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian 2025 si një komponent kyç të ecurisë së negociatave me Bashkimin Europian.

Gjatë fjalës së tij, Salla theksoi se siguria ushqimore ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve, besimin e konsumatorit dhe aftësinë e produkteve shqiptare për të hyrë dhe konkurruar në tregun europian. Ai vuri në dukje se në periudhën e fundit është punuar intensivisht për përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kontrolleve zyrtare në të gjithë zinxhirin “nga ferma në tavolinë”, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe modernizimin e infrastrukturës mbështetëse, përfshirë laboratorët dhe pikat e kontrollit kufitar.

Ministri theksoi rëndësinë e mbështetjes së Bashkimit Europian dhe të qeverisë gjermane përmes projektit EU for Food Safety, i cili synon përgatitjen e Programit Kombëtar për përmirësimin e standardeve të operatorëve të biznesit ushqimor dhe rritjen e cilësisë së qumështit të papërpunuar. Sipas tij, krahas hartimit të akteve nënligjore, fokusi do të jetë edhe forcimi i kontrolleve zyrtare të bazuara në risk për produktet e importit, eksportit dhe prodhimit vendas, me qëllim zbatimin e njëtrajtshëm të standardeve në të gjithë territorin.

Në këtë kuadër, Salla bëri të ditur se parashikohet një investim prej rreth 20 milionë dollarësh për ndërtimin e shtatë Pikave të Inspektimit Kufitar. Paralelisht, do të forcohen më tej kapacitetet institucionale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, të cilat luajnë një rol qendror në procesin e integrimit europian dhe në kontrollin e importeve dhe eksporteve.

Sipas ministrit, këto masa synojnë të përshpejtojnë përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian, duke e bërë sigurinë ushqimore një shtyllë reale dhe të verifikueshme të procesit të anëtarësimit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033