Ngjarja tragjike në Gjykatën e Apelit në Tiranë ka rikthyer frikën dhe kujtesën e dhimbshme të sulmeve me armë në sallat e gjykatave shqiptare, si rasti i plagosjes së gjyqtares Irena Maneku në Fier.
Ngjarja e rëndë në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën në mënyrë tragjike, ka tronditur sistemin e drejtësisë dhe ka hapur sërish debatin për mungesën e sigurisë në institucionet gjyqësore. Në Fier, kjo tragjedi ka rikthyer kujtimet e dhimbshme të vitit 2007, kur gjyqtarja Irena Maneku u qëllua me armë brenda ambienteve të gjykatës.
Sulmi i asaj kohe u bë shkak që për herë të parë në Shqipëri, në një gjykatë të vendoseshin roje sigurie dhe detektorë metalesh në hyrje. Por, sipas shumë juristëve, këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme për të garantuar mbrojtjen e magjistratëve.
Avokati Ervis Goxhaj shprehet se, pavarësisht kontrolleve të rrepta në hyrje, gjykata e Fierit vazhdon të ketë mangësi serioze në standardet e sigurisë. Ai thekson se mungesa e hapësirave fizike dhe mbingarkesa e gjyqeve pas hartës së re gjyqësore kanë krijuar një mjedis të rrezikshëm për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët.
Sipas Goxhajt, siguria nuk mund të garantohet në një ndërtesë të tejmbushur e pa kushte minimale. Ai kërkon urgjentisht ndërtimin e një godine të re për gjykatën e Fierit, që t’i përmbushë standardet europiane dhe të sigurojë mbrojtje për stafin gjyqësor.
Ngjarja e vitit 2007 mbetet një nga momentet më të errëta për sistemin e drejtësisë shqiptare. Ajo tregoi se edhe në një institucion që simbolizon ligjin dhe rendin, dhuna mund të depërtojë në mënyrë tragjike.
Pas atij incidenti, u forcuan kontrollet për hyrjen në gjykata dhe u shtuan masat teknike të sigurisë. Megjithatë, me kalimin e viteve, investimet në këtë drejtim kanë mbetur të pakta, ndërsa numri i çështjeve dhe personave që frekuentojnë gjykatat është rritur ndjeshëm.
Sot, Gjykata e Fierit funksionon me vetëm 5 salla gjyqi për 21 gjyqtarë dhe mbulon një popullsi prej afro 300 mijë banorësh. Në kushte të tilla, mungojnë hapësirat për këshillime, dhe asnjë sallë nuk kalon 5 metra katrorë, çka e bën situatën edhe më problematike.
Në këto rrethana, ngjarja e fundit në Tiranë duhet të shërbejë si alarm për autoritetet që të rishikojnë urgjentisht kushtet e sigurisë në të gjitha gjykatat e vendit, përpara se një tjetër tragjedi të përsëritet.


