Fundi i Luftës së Parë Botërore shënoi një periudhë dramatike për Shqipërinë, pasi nga skena gjeopolitike europiane u largua shteti protektor i saj, Perandoria Austro-Hungareze. Kjo krijoi dy vakume të menjëhershme: së pari, një vakum të brendshëm institucional në pjesën më të madhe të territorit, e cila për gati tri vite ishte administruar nga austriakët, italianët dhe francezët; së dyti, në bisedimet e paqes, Shqipëria humbi një zë të kualifikuar e besnik pro saj brenda fuqive të mëdha vendimmarrëse.
Italia, e rreshtuar në anën fituese të Antantës, për një sërë arsyesh nuk mundej dhe nuk do ta luante në mënyrë të qëndrueshme e serioze një rol të tillë pro Shqipërisë dhe çështjes së saj kombëtare. Megjithatë, dhënia e së drejtës së kontrollit ushtarak italian mbi Shqipërinë nga Këshilli i Lartë i Antantës, në momentin e avancimit të ushtrive të Antantës në Ballkan, u mundësoi shqiptarëve një lloj mbrojtjeje. Kjo ndihmoi të shmangej, në një masë të madhe, përsëritja e skenave pushtuese të Serbisë dhe Greqisë, si dhe krijoi hapësirë që forcat nacionaliste të nisnin procesin e ripërtëritjes së shtetit, restaurimit të legalitetit të paraluftës dhe dërgimit të përfaqësisë diplomatike në Konferencën e Paqes në Paris.
Pas luftës, përvoja e palavdishme ehlikjamiste dhe esadiste mbeti një kujtim i hidhur. Ndërkohë, tri vitet e administrimit të Austro-Hungarisë në 2/3 e vendit, si dhe kontrolli italian e francez në jug, bashkë me autonominë administrative e kulturore që shqiptarët gëzuan në këto kushte, lanë gjurmë në strukturimin e nacionalizmit dhe në restaurimin e administratës publike shqiptare. Edhe pse vitet që pasuan do të ishin një sfidë reale shtetformuese për elitën nacionaliste, bashkësia nacionale pati një ftillim të ndryshëm sa i përket vetëdijes së përkatësisë dhe pranimit më të madh të parimeve mbi të cilat duhej rithemeluar marrëdhënia ndërshqiptare.
Nacionalizmi, gjithnjë e më qartë, u mbështet te parimet e elitës së Kulturës së Lartë dhe te rrethet e vetëdijshme mbi lirinë arbnore dhe përkatësinë e vendit në Adriatik. Esadistët, të mbetur pa liderin e tyre—i cili u pengua të hynte në Shqipëri prej italianëve dhe më pas u ekzekutua nga Avni Rustemi në Paris—aplikuan transformizëm dhe u pozicionuan përkrah forcave konservatore të bejlerëve të ish-perandorisë. Gradualisht, kërkuan liderin e tyre te Ahmet Bej Zogu, i cili fillimisht në prapaskenë e më pas hapur, nisi ndërtimin e një legaliteti të ri institucional mbi kreun e shtetit dhe formën e regjimit, duke përmbysur kornizat e kongreseve të Durrësit (dhjetor 1918) dhe të Lushnjës (janar 1920), për të ngritur një rend të ri rreth personit të tij, veçanërisht pas dhjetorit 1924.
Në anën tjetër, elita e europianizuar e Kulturës së Lartë, diaspora nacionaliste dhe rrethet e nacionalizmit purist, albanianist dhe shekullar, si edhe elita katolike e myslimane e veriut, elita kosovare dhe ajo e Shqipërisë Qendrore e përqendruar në Elbasan rreth Aqif Pashë Biçakçiut, si edhe nacionalistët e Toskërisë, punuan me vendosmëri në vitet 1918–1924 për ripërtëritjen e Shqipërisë mbi kornizat e nëntorit 1912 dhe Principatës së vitit 1914. Shpresa e tyre mbeti rikthimi i Legalitetit të mirëfilltë me Mbretin Wilhelm von Wied, ose pasardhësit e tij, si garantë të përforcimit të një shteti dhe nacioni të ripërtërirë europian në kufijtë më të mundshëm etnikë.
Kjo ishte thelbi i ballafaqimeve politike në vitet 1920–1924, fundi i të cilave rezultoi humbje për elitën demokratike europianiste dhe mbisundim i forcave konservatore, përfshirë esadistët e transformuar, ndonëse vetë Esadi ishte larguar fizikisht nga skena.
Rendi kushtetues
Ngjarjet e fillimit të vitit 1924, që kulmuan me Revolucionin/Kryengritjen e Qershorit dhe përmbysjen e qeverisë legjitime, u nxitën edhe nga përpjekja e qëllimshme e Ahmet Zogut për të kultivuar perceptimin se Shqipëria kishte nevojë për një udhëheqës të fortë, autoritar, për stabilitet dhe ruajtje rendi. Zhvillimet e vitit 1924 shuan çdo perspektivë për rikthimin e Princ Wied-it, ndërsa forcat konservatore hartuan plane për konsolidimin e pushtetit të Zogut.
Pas Kundërrevolucionit të Dhjetorit 1924/Rikthimit të Legalitetit/Riardhjes së Njeriut të Fortë në pushtet, anëtarë të qeverisë së fundit të formuar ligjërisht dhe një prej regjentëve u kthyen pothuajse menjëherë në kryeqytet. Me synim ruajtjen e vazhdimësisë kushtetuese, ish-kryeministri Iliaz Bej Vrioni rifilloi përkohësisht ushtrimin e funksionit, përpara dorëheqjes. Regjenti ia besoi Ahmet Zogut formimin e kabinetit të ri, ndërsa shumica e Asamblesë Kushtetuese u kthye në Tiranë dhe më 21 janar 1925 shpalli vendosjen e regjimit republikan.
Republika u institucionalizua shpejt dhe Ahmet Zogu u zgjodh President i Republikës në rrethana që e vendosën atë si autoritetin e vetëm dhe suprem në Shqipëri; pak ditë më vonë u rizgjodh për një mandat shtatëvjeçar. U hartua një Kushtetutë e re me legjislativ dydhomësh—Senat me tetëmbëdhjetë anëtarë dhe Dhomë Deputetësh me pesëdhjetë e shtatë deputetë. Kompetencat e Presidentit i ngjanin atyre të një republike presidenciale, me dallimin se Presidenti zgjidhej nga Parlamenti. Kushtetuta parashikonte kabinet ministror të emëruar nga Presidenti, por politikisht përgjegjës përpara Dhomës së Deputetëve.
Në këtë kuadër, në qershor 1924 kemi një qeveri të ardhur në pushtet në mënyrë jo legjitime, me rrugë të armatosur, që megjithatë ruajti kuadrin institucional të Kongresit të Lushnjës. Në dhjetor 1924 kemi rikthimin formal, jo thelbësor, të një qeverie legjitime të nxjerrë nga pushteti me dhunë, e cila shërbeu si trampolinë për shkatërrimin e Legalitetit Kushtetues të Kongresit të Lushnjës dhe krijimin e një forme të re regjimi në një Shqipëri që nuk dinte çfarë ishte republikanizmi.
Eliminimi i kundërshtarëve
Pyetja që shtrohet është: ku gjenden kufijtë kohorë dhe kuptimorë të “Rikthimit të Legalitetit” në këtë rast?
Pas dhjetorit 1924 u vendos një kuadër i ri juridik, në kontrast të theksuar me marrëveshjet e brendshme dhe ndërkombëtare që lidhnin shtetin shqiptar. Një sfidë urgjente ishte ekuilibri midis centralizmit dhe decentralizmit. Konflikti më i thellë lidhej me çështjen agrare, e cila synonte dobësimin e dominimit të pronarëve të mëdhenj tokësorë.
Pas “Triumfit të Legalitetit”, siç u quajt nga qeveria, pasoi çmontimi i legalitetit të Kreut të Shtetit, i shoqëruar me një marrëveshje të heshtur me Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve për neutralizimin e rrymës “Drini”, si dhe me angazhimin për respektimin e disa mirëkuptimeve themelore me Italinë. Kjo fazë u pasua nga shtypja e dhunshme e kundërshtarëve politikë, përfshirë vrasjen e disa figurave të spikatura.
Më 2 mars 1925, Luigj Gurakuqi u vra në Bari nga Baltion Stamolla, një ngjarje që, sipas dokumenteve kroate dhe amerikane të zbuluara së fundmi dhe dokumentacionit të studiuar italian nga profesorë të Universitetit të Barit, ishte e kurdisur nga shërbimet shtetërore konsullore dhe të MPB të Tiranës në rrugë jozyrtare. Brenda Shqipërisë u vra Zija Bej Dibra, ndërsa Bajram Curri gjeti vdekjen në fund të marsit në rrethana të diskutueshme. Hysni Curri vdiq në Vjenë gjatë pranverës së po atij viti; Marka Gjoni ndërroi jetë nga sëmundje e zemrës; në gusht 1925 u qëllua për vdekje Zef Noci. Në vitin 1926 represioni u shtri në Dukagjin, duke vijuar edhe në 1927. Viktima e fundit në vargun e gjatë të hakmarrjeve ishte Hasan Prishtina, i vrarë më 13 gusht 1933 në Selanik.
Në këtë mënyrë, trajektorja e nisur nga Essad Pasha për konsolidimin e kontrollit politik u vijua nga Ahmet Bej Zogu. Nga këndvështrimi i së drejtës kushtetuese, Zogu fillimisht pretendoi rivendosjen e legalitetit qeverisës, por më pas e çmontoi rendin, duke e kaluar vendin nga Monarkia Kushtetuese në Republikë Presidenciale, ku Presidenti ushtronte pushtet autoritar brenda kuadrit formal të republikës. Në vitin 1928, ai e shndërroi republikën në Monarki Kushtetuese me kompetenca të zgjeruara. Megjithatë, në rrjedhën e viteve 1930, Shqipëria do të formësohej si shtet me stabilitet, administratë të rregullt, program nacional arsimimi, me politika modernizuese e perëndimizuese dhe me Turqinë të përjashtuar nga ndërhyrja në punët e brendshme.