Temperaturat mbi 35 gradë rrisin rrezikun e atakut kardiak, sidomos te të moshuarit dhe pacientët me ndërhyrje në zemër
Gjatë ditëve të fundit, vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin ka sjellë një rritje të ndjeshme të vizitave kardiologjike. Sipas mjekes kardiologe Fatmira Rexhepi, temperaturat e larta janë një faktor serioz rreziku për shëndetin e zemrës, veçanërisht për grupmoshën e tretë dhe pacientët që kanë kryer ndërhyrje kardiake.
Në një intervistë për TV Apollon, Dr. Rexhepi theksoi se shumë pacientë kanë përjetuar përkeqësim të gjendjes së tyre për shkak të të nxehtit, duke shkuar deri në komplikime fatale. Vetëm në javën e fundit, tre persona kanë humbur jetën në plazhe si pasojë e atakut kardiak të shkaktuar nga temperaturat ekstreme.
Mjekja tha se fluksi i vizitave në ambulatorët kardiologjikë është rritur ndjeshëm dhe se grupi më i prekur janë të moshuarit, por jo vetëm. Edhe personat më të rinj që vuajnë nga sëmundje kronike apo kanë pasur ndërhyrje në zemër janë të rrezikuar.
“Grupmosha e tretë është padyshim më e ndjeshme ndaj ndryshimeve të motit. Ata shpesh vuajnë nga sëmundje të shumta, të cilat rëndohen në verë. Për këtë arsye, këshillojmë kontrolle të rregullta dhe shmangien e daljes në orët më të nxehta të ditës,” u shpreh Dr. Rexhepi për gazetarin Ndriçim Gjoshi.
Ajo theksoi se simptomat që nuk duhet të injorohen janë: vështirësia në frymëmarrje, ndjesia e presionit në kraharor dhe lodhja e menjëhershme. Këto mund të jenë shenja paralajmëruese të një gjendjeje të rënduar kardiake.
Për të parandaluar përkeqësimin e shëndetit, kardiologia apelon për kujdes maksimal gjatë ditëve me të nxehtë të verës. Ajo sugjeron që të moshuarit dhe pacientët me histori të problemeve kardiake të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të mos bëjnë përpjekje fizike në temperatura ekstreme.
Në përfundim, Dr. Rexhepi këshillon qytetarët që të konsultohen menjëherë me mjekun nëse ndiejnë shqetësime, duke mos e neglizhuar asnjë shenjë që mund të sinjalizojë ndërlikime serioze në zemër gjatë stinës së verës.