Procedimi pasuror ndaj Arben Isufajt, 56 vjeç, i njohur si “Ben Qimja” dhe i dënuar në Itali për trafik droge, ka zbuluar përmasat e interesave të tij në sektorin e ndërtimit në Fier dhe Tiranë. Megjithatë, kompania kryesore e ndërtimit që lidhej me të, “Isufaj-2004”, arriti t’i shpëtonte konfiskimit, pasi gjykata pranoi argumentin se investimet ishin financuar nga parapagimet e blerësve të apartamenteve.
Historia penale e Isufajt nis në dhjetor të vitit 2004, kur policia italiane arrestoi tre persona me 3.5 kilogramë kokainë në Melegnano, pranë Milanos. Sipas drejtësisë italiane, grupi kishte edhe një bashkëpunëtor të katërt, Arben Isufajn, i cili i shpëtoi arrestimit në atë kohë. Paralelisht, në Shqipëri u themelua në Fier shoqëria ndërtimore “Isufaj-2004”, e cila për më shumë se një dekadë punoi pa u prekur nga hetime.
Kompania ndërtoi tre pallate në Fier dhe më pas zgjeroi aktivitetin në Tiranë, derisa u zbulua se pronësia e saj lidhej me Isufajn, tashmë subjekt i ligjit “Antimafia”. Në vitin 2014, ai u dënua në Itali për trafik ndërkombëtar kokaine nga Holanda drejt Italisë, por iu shmang ekstradimit falë një vendimi kontrovers të Gjykatës së Fierit. Në vitet pasuese, vëmendja e drejtësisë u zhvendos tek pasuritë e tij në Shqipëri.
Në maj 2021, Prokuroria e Posaçme regjistroi një procedim pasuror dhe vendosi sekuestron mbi disa pasuri të dyshuara, përfshirë shoqërinë “Isufaj-2004”. Dy vite më vonë, masa e sekuestros ndaj kësaj kompanie u revokua, pasi një akt-ekspertim financiar arriti në përfundimin se aktiviteti i shoqërisë ishte financuar nga pagesat e prenotuesve të apartamenteve dhe jo nga kapitali i ortakut.
Ky rast vjen në një kontekst më të gjerë shqetësimi për pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave, ndërtimi dhe tregu i pasurive të paluajtshme mbeten sektorët më të ekspozuar ndaj injektimit të fondeve me origjinë kriminale. Megjithatë, rastet kur këto skema goditen në mënyrë efektive, vlerësohen ende si të kufizuara.
Në procedimin pasuror të Isufajt, hetimi i SPAK u mbështet fillimisht në një referim të Policisë së Fierit të vitit 2017, ku dyshohej se ai kishte ngritur një “perandori” biznesi në emër të familjarëve dhe krushqve, përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, biznese në ndërtim dhe hidrokarbure, si dhe qindra dyqane me qira në Fier. Në fokus ishin edhe transaksionet me krushkun Agim Çako dhe kompanitë “Isufaj-2004”, “Isufaj-2001” dhe “Mateo Konstruksion”.
Megjithëse u identifikua një numër i madh pasurish, prokuroria depozitoi në gjykatë një kërkesë të kufizuar sekuestrimi, e bazuar në një akt-ekspertim kontabël që konkludonte se pjesë e tyre nuk justifikoheshin me të ardhura të ligjshme. Në vitin 2021 u sekuestruan disa pasuri, përfshirë një pulari, kuota në një shoqëri tjetër tregtare, disa sipërfaqe toke, kompania “Isufaj-2004” dhe gjashtë automjete.
Gjatë fazës së gjykimit në Gjykatën e Posaçme, mbrojtja paraqiti një akt-ekspertim të mëparshëm (i vitit 2018), ku thuhej se “Isufaj-2004” ishte financuar “totalisht nga klientët që kanë prenotuar apartamentet”. Në vijim, gjykata urdhëroi një akt të ri ekspertimi kontabël, për të verifikuar nëse kompania kishte pasur burime të ligjshme financimi.
Eksperti i pavarur arriti në përfundimin se në vitin 2005 kompania ishte financuar me rreth 105 milionë lekë nga prenotuesit e apartamenteve. Mandat-pagesat e arkëtimeve u dorëzuan më pas në gjykatë, duke mbështetur këtë version. Në bazë të këtyre provave, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për revokimin e sekuestros mbi “Isufaj-2004”, duke arsyetuar se nuk provohej financim i kompanisë me burime të paligjshme nga ortaku.
Ndërkohë, për një pjesë tjetër të pasurive, gjykata vendosi konfiskimin, duke pranuar vetëm pjesërisht kërkesën e prokurorisë. Shtatë nga 12 pasuritë e sekuestruara u konfiskuan, ndërsa pesë të tjera, përfshirë kompaninë e ndërtimit dhe një sipërfaqe toke të trashëguar sipas ligjit 7501, iu kthyen pronarëve.
Vendimi mori formë të prerë më 13 prill 2023, pasi nuk u ankimua as nga SPAK dhe as nga mbrojtja. Ndërkohë, vetë Arben Isufaj prej shkurtit të këtij viti rezulton sërish në kërkim, pasi akuzohet se ka kërcënuar një gjyqtar në Fier – një episod që, sipas burimeve gjyqësore, ka vijuar të rëndojë profilin e tij penal dhe publik.


