Shqipëria e viteve të para të shtetit të saj ishte një vend pa infrastrukturë të zhvilluar transporti. Sipas një trajtese të linguistit Joachim Matzinger në gazetën austriake “Der Standard”, zgjerimi i hekurudhës në Evropën Juglindore e anashkaloi plotësisht Shqipërinë.
Vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore, kur veriu i vendit u pushtua nga ushtria austro-hungareze, u ndërtuan hekurudha fushore me binarë të ngushtë, të njohura si “Decauville” ose “dekovil”. Fillimisht ato tërhiqeshin nga kuajt, më pas nga lokomotiva me avull apo me akumulatorë, duke shërbyer për transport ushtarak.
Në jug, forcat italiane ndërtuan një linjë të ngushtë mes Vlorës dhe minierave të bitumit në Selenicë. Pas përfundimit të luftës, pjesa më e madhe e rrjetit u çmontua, ndërsa disa segmente mbetën në përdorim për qëllime industriale.
Hekurudha e parë e rregullt me binarë standard 1435 mm u përurua në vitin 1947, me ndihmën e Jugosllavisë. Linja lidhte Durrësin me Peqinin dhe shënoi nisjen e një rrjeti kombëtar që do të zgjerohej deri në 677 kilometra në mesin e viteve ’80.
Zgjerimi u realizua me punë “vullnetare” dhe me angazhimin e të burgosurve. Lokomotivat dhe vagonët u siguruan kryesisht nga vendet socialiste, por edhe nga Kina dhe Italia, duke reflektuar aleancat politike të kohës.
Pas vitit 1990, me ndryshimet politike dhe krizën ekonomike, rrjeti hekurudhor hyri në rënie. Infrastruktura u dëmtua, ndërsa mungesa e fondeve e paralizoi mirëmbajtjen. Një simbol i kësaj rënieje ishte edhe shembja e stacionit të trenit në Tiranë në vitin 2013.